Telegrafi

Gjykata e Apelit në Tiranë refuzon ekstradimin, lirohet ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj

Ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj është liruar nga burgu.

Burime bëjnë me dije se Gjykata e Apelit në Tiranë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës Parë, duke refuzuar dhe ekstradimin e Goxhajt.

Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik 2023 me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës me qëllim ekstradimin në Hagë.

Ish-luftëtari i UÇK-së u përballë me akuzën se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Gjithashtu ai u akuzuar si i dyshuar për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lexo po ashtu Babai i Dritan Goxhajt: Djali im është i qetë dhe i bindur që nuk do të ekstradohet

“Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 10.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:

-Ndryshimin e vendimit Nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

– Rrëzimin e kërkesës për ekstradimin e shtetasit D.G nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

– Heqjen e mases se sigurimit “arrest ne burg “, per shtetasin D.G, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, date 20.07.2023 te Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë

-Urdhërohet lirimi i shtetasit Dritan Goxhaj, nëse nuk mbahet për ndonje vepër tjetër penale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/