Telegrafi

Gjykata e Apelit kthen në rivendosje rastin për korrupsion ndaj Liburn Aliut dhe të akuzuarve të tjerë

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e nxjerrë në shkallë të parë për hedhjen poshtë të aktakuzës së ngritur për korrupsion ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të akuzuarve të tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi, duke e kthyer në rivendosje.  

Në qershor të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte hedhur poshtë aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj Liburn Aliut dhe zyrtarëve tjerë.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 14.06.2021, është anuluar dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje. Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e datës 14.06.2021, kishte hedh aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 24.07.2020 dhe kishte pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U. dhe M.B-P”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzoheshin edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi./Telegrafi/