Telegrafi

Gjykata e Apelit e dënon Buffonin për blasfemi, portieri mungon ndaj Torinos

(Foto: Instagram/gianluigibuffon)

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, është pezulluar për një ndeshje për shkak të përdorimit të një fjale blasfemike gjatë ndeshjes ndërmjet Parmas dhe Juventusit në dhjetorin e kaluar.

Kështu, portieri legjendar nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Andrea Pirlo për ‘Derby della Mole’ kundër Torinos. Vendimin e ka marrë Gjykata Federale e Apelit, ndërsa Buffon është dënuar edhe me gjobë në vlerë prej 5.000 eurosh.

Më 19 dhjetor 2020, kur po zhvilloheshin minutat e fundit të takimit në Ennio Tardini, Buffon i është drejtuar të riut Manolo Portanova: “Dua të qëndrosh aty, duke vrapuar duke vuajtur. Nuk më intereson për asgjë tjetër”, citohet të ketë thënë Buffon para se të përdorte fjalën blasfemike – përdorimi kot i fjalës ‘Dio’ (Zot). Buffon kishte theksuar se e ka thënë fjalën ‘Zio’ (dajë) dhe jo ‘Dio’ (Zot).


Blasfemia është akti i fyerjes ose shfaqjes së përbuzjes ose mungesës së nderimit ndaj një hyjnie, ose objekteve të shenjta, ose ndaj diçkaje që konsiderohet e shenjtë ose e paprekshme. Disa fe e konsiderojnë blasfeminë si një krim fetar.

Sipas Ligjit të ri ndaj blasfemisë, Federata Italiane ua lejon gjyqtarëve që t’i përjashtojnë lojtarët që e thonë emrin e Zotit për hiçgjë. Lojtari madje mund të pezullohet nga Federata në rast se gjyqtari nuk e ndëshkon.


43-vjeçari fillimisht i kishte shpëtuar dënimit nga Komisioni Disiplinor i Federatës Italiane të futbollit, mirëpo prokurori federal e ka dërguar rastin deri në Gjykatën e Apelit ku është vendosur kundër tij, ashtu që më 3 prill mundon në derbin torinez. /Telegrafi/