Telegrafi

Gjykata dënon Shukri Bujën me dy vjet burgim për keqpërdorim detyre

Me dy vjet burgim për keqpërdorim detyre është dënuar Shukri Buja, ish-kryetar i Lipjanit për rastin e njohur si “Ferronikeli”.

Të akuzuarit tjerë në këtë rast janë Halit Gashi i cili është dënuar me gjashtë muaj burgim, masë kjo që mund të zëvendësohet me gjobën prej 2 mijë eurosh.

Me gjashtë muaj burgim janë dënuar edhe Bajram Rizani dhe Edmond Rexhepi dhe po ashtu mund të zëvendësojnë dënimin me nga 2 mijë euro. Ndërsa, Hashim Vishesella është dënuar me 5 muaj burgim dhe mund të zëvendësojë dënimin me 1,500 euro.

Të akuzuarit janë detyruar të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale, Shukri Buja në shumë prej 500 euro, kurse të akuzuarit tjerë në shumë prej 100 euro.

Ndërsa, Magbule Sadiku, Driton Avdiu dhe Burim Kodra janë liruar nga akuzat në mungesë të provave.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në shkurt të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë me të cilën i ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqirin – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të  Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “New Co Ferronikel Complex L.LC”. /Telegrafi/