Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh kryetarit të FFK-së, Agim Ademit.
Ademi dyshohet për veprat “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.
“Para pak minutash është marrë vendimi që kryetarit të FFK-së, Agim Ademit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, ka deklaruar Gashi për Telegrafin.
Ndërsa gjykata përmes një njoftimi ka thënë se në rast të mosrespektimit të kësaj mase, të pandehurit Agim Ademi do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake, pas dëgjimit të prokurorit të shtetit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, me faktin nëse ekzistojnë arsyet për caktim e masës së arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës penale për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak, konstaton se ne bazë të provave të cilat gjenden ne shkresat e lëndës plotësohet kushti i përgjithshëm ligjor për caktimin e masës së arrestit shtëpiak”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Ademi po dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorim i besimit’ si dhe ‘Shamgnie nga tatimi’, duke keqpërdorur buxhetin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
I pari i futbollit kosovar fillimisht iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh, por ai natën e mbrëmshme e kaloi në QKUK për shkak gjendjes jo të mirë shëndetësore.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi/