Site icon Telegrafi

Gjurmëve të një mallkimi

– Recension për librin “Mallkimi i shekujve” të Gazmend Bytyçit – 

Nga: Zyrafete Shala

Romani Mallkimi i shekujve është romani i dytë i botuar i autorit Gazmend Bytyçi, që vjen dy vjet pas romanit Karabina e gjyshit. Shikuar nga perspektiva e tanishme, kur i kemi në duar dy vepra të të njëjtit autor, por edhe nga relacioni në të cilin qëndrojnë ato mes vete, mund të thuhet se Karabina e gjyshit ka ardhur si domosdoshmëri e përjetësimit të një epoke, si kronikë e një periudhe të vështirë dhe si një peng, të cilin autorit ia lanë bashkëluftarët e tij. Përmbushja e këtij obligimi moral, i dha mundësi autorit Gazmend Bytyçi, të zgjerojë kufijtë e botës së tij krijuese dhe t’i qaset me shumë vëmendje realitetit kombëtar, për ta shpalosur pastaj reflektimin mbi të, në romanin e radhës.

Sado që i ndërtuar mbi situatat reale nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, pjesërisht në dekadat e fundit e pjesërisht në ato të mëhershme, romani Mallkimi i shekujve i tejkalon përmasat e një romani realist, për t’u shfaqur si një roman me tipare të gërshetuara të realizmit, modernizmi, por edhe surealizmit. Siç na sugjeron edhe vet titulli, duke kërkuar shkaqet të cilat kanë ndikuar në ndërthurjen e një historie komplekse, me elemente tragjike, autori niset nga aktualiteti, duke gërmuar më tej në thellësitë e së kaluarës, për të arritur së fundi në agun e civilizimit kombëtar, por edhe atij njerëzor… aty ku janë ngjizur mitet dhe legjendat.

Linjat fabulare ndërtohen me copëza rrëfimesh nga e sotmja, që ndërthuren me rrëfime të tjera retrospektive nga fëmijëria e Gurit, personazhit kryesor, me refleksione nga luftërat kombëtare, si lufta e Torviollit, për të shkuar më tej deri te hovi dhe lavdia pushtuese e Lekës së madh… dhe të gjitha këto, bëjnë që syzheu i romanit të na shfaqet si një palimpsest i historisë kombëtare, apo si një arkeologji verbale e dëshmive që kanë lënë kohërat, qofshin ato dëshmi historike apo mitike. Rrëfimet e shkurtra, që shfaqen në trajtë kujtese, në trajtë monologu, siç është monologu i rrogëtarit, apo si letra e gjetur e Eufronit, drejtuar Mesterit, sado që mund të duken si të shkëputura, në të vërtetë ato dalin mjaft të funksionalizuara në kuadër të fabulës së romanit dhe idesë themelore të tij.

Një element që tërheqë vëmendjen e lexuesit dhe që e përcjellë fund e krye rrëfimin, është padyshim përsëritja e shtatës mitike, që shfaqet fillimisht në numrin e arkeologëve të ekipit hulumtues, pastaj në moshën e personazheve, vitet e datat historike, kohëzgjatjen e veprimeve, për t’u ndërlidhur pastaj me mallkimin, si njësi themelore semantike të romanit. Kjo përsëritje në të gjitha segmentet dhe dimensionet, që nganjëherë duket se arrin në kufijtë e obsesionit, jep fuqinë dhe peshën që mallkimi bartë nëpër kohë, nga njëri brez tek tjetri. Rrugëtimi drejt lashtësisë është intrigues, aq më tepër kur bëhet fjalë për mallkimin që ka rënë mbi një popull i cili historikisht, asnjëherë nuk është mbajtur si agresor, por si shënjestër e pushtuesve të huaj.

Ndjekja e gjurmëve të mallkimit, nga njëra epokë në tjetrën dhe nga njëra pandehmë në tjetrën, na shpiejnë te një popull misionar, që bie pre e njerëzve të etur për lavdi, e njerëzve që rivalizojnë me hyjnitë. Pavarësisht nga fakti se Leka, si udhëheqës, nuk merr pjesë në vrasjen e ‘të pagojëve’ (popullit misionar), mallkimi bie edhe mbi të, sepse ishte ai që ngjalli tek bashkëluftëtarët e tij dëshirën për t’i privuar njerëzit nga liria… veprim ky që bie ndesh me porosinë e orakullit Mester. Nëse nisemi nga thënia se: Miti është mbetje nga jeta kolektive, infantile e popujve, ndërsa ëndrra është mit i individit, (Z. Frojd) atëherë nuk është vështirë të vërehet se te ne si popull, shfaqet një paradoks mes mitit individual dhe atij kolektiv. Individualisht gjakojmë madhështinë, ndërsa kolektivisht lirinë. Mirëpo, romani na sugjeron se e keqja, edhe nëse buron nga një individ i vetëm, mund të ketë përmasa të mëdha dhe si e tillë, mund të tërheqë mbi vete një mallkim të rëndë.  

Ky kërkim, kjo endje nëpër situata të rëndësishme të historisë kombëtare, kjo përpjekje për t’i dekoduar dëshmitë e kohërave, nga ato më të rejat e deri atje ku çdo gjë është e mjegulluar, nuk është thjesht një përpjekje e autorit për t’u arratisur nga realiteti ngulfatës. Për më tepër, ky shtegtim bart në vete një shqetësim të thellë, shqetësimin për t’i dhënë kuptim gjendjes sonë, rrugës që kemi kaluar deri këtu dhe të tashmes kur nganjëherë vendnumërojmë, e të shumtën e rasteve edhe ecim prapa. Autori pyet veten, pyet heronjtë kombëtarë e mitologjikë, na pyet edhe ne: pse është dashur të kalojmë nëpër këtë rrugë… dhe pse, ende nuk po arrijmë të ecim në drejtimin e duhur.

Shtatë pleqtë e ‘të pagojëve’ ata që e mbajnë çelësin e mallkimit, në fund të rrëfimit sikur zëvendësohen nga personazhet e tjera si xha Bardhi, Jella, profesori, Guri, Hunzaku, Mika dhe oficeri grek, që të gjithë së bashku morën pjesë në ndërtimin e legjendës. Por transformime të tilla mund të bëhen pafund, pambarimisht mund të ndërrohen kohërat e personazhet dhe secili prej tyre, do të mbart mbi supe një pjesë të mallkimit, qoftë mallkimit të rrogëtarit, që u mbyt për të humbur gjurmët e turpit, apo mallkimit të ‘të pagojëve’, kundër njerëzve që asgjë nuk mund t’i ndalë në yshtin drejt lavdisë, duke pirë gjakun e fëmijëve të tyre.

Për fund, mund të themi se me romanin Mallkimi i shekujve, Gazmend Bytyçi ka bërë edhe një hap të sigurt drejt ngjitjes në piramidën e letrave shqipe, me të, ai sjell risi në shtjellimin e temave dhe motiveve, por edhe mënyrën se si e artikulon nga to idenë kryesore të romanit. Përveç vlerës së pamohueshme estetike, ky roman është edhe një trokitje në ndërgjegjen kolektive, për të bërë një vetëvrojtim që do t’i jepte fund mallkimit të vjetër, apo do ta frenonte shfaqjen e një mallkimi të ri.

Exit mobile version