“Lista Serbe mishëron unitetin e shtetit të Serbisë dhe popullit serb në Kosovë”, ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Në një prononcim për mediat serbe, përcjell Telegrafi, Gjuriq nga Mitrovica ka thënë se pjesëmarrja e madhe në votime e serbëve, është e rëndësishme për mbijetesën e serbëve në Kosovë.
“Lista Serbe mishëron unitetin e kombit në Kosovë. Është shumë e rëndësishme që qytetarët të votojnë në numër të madh. Andaj askush nuk ka të drejtë për të qëndruar sot në shtëpi”, shpjegon Gjuriq.
Ai ka theksuar se “e vetmja Lista Serbe mund të garantojë ruajtjen e lidhjes ndërmjet popullit serb, institucioneve serbe në Kosovë dhe shtetit të Serbisë”.
Në një pyetje të gazetarit se “si e komenton deklaratën e Ramush Haradinajt që nëse ai do të udhëhiqte me Kosovën, Gjuriq nuk do të mund të vinte në Kosovë”, ai është përgjigjur: “Ata u përpoqën shumë herë për të na ndaluar, jo vetëm mua, por shumë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Serbisë. Siç mund ta shikoni, unë jam këtu në Mitrovicë, e Haradinaj nuk është këtu. Këtu jeton kombi serb dhe do të mbetet kështu”. /Telegrafi/