Sekretari ndërkombëtar i Partisë Socialdemokrate (SD) Millosh Gjuriçkoviq ka treguar se cili është qëllimi i vërtetë i Komunës së Zetës me iniciativën për tërheqjen e njohjes së Kosovës.
“A mendoni se Asanoviqi [kryetari i Komunës së Zetës] është budalla? Nuk është! Synimi është të tregohet se shteti i Malit të Zi dhe institucionet e tij nuk ekzistojnë. Filloi me ministrat të cilët me qëndrimin e tyre ‘personal’ ndaj Srebrenicës dhe Republikës Srpska, ndryshuan politikën e jashtme të Malit të Zi”, tha Gjuriçkoviq, raporton “Pobjeda“.
Siç tha ai, tani i ka ardhur radha Kosovës.
“Çfarë do të ndodhë kur të njëjtën iniciativë të nisin Podgorica, Nikshiqi, Budva, Berane, Plevle dhe Tivati? A do të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetarët dhe turistët e Kosovës apo ta paguajnë taksën turistike në këto komuna? A janë të mirëpritur?, pyet Gjuriçkoviq, transmeton Telegrafi.
Ai vlerësoi se Fronti Demokratik (FD) është i qartë në synimet e tij dhe po i zbaton ato.
“Abazoviq dhe Milatoviq janë më meritorët për FD në pushtet! Të gjithë të tjerët janë bashkëfajtorë në përmbysjen e shtetit. Qytetarët që i kanë mbështetur duhet të zgjohen nga hipnoza para se të jetë tepër vonë. Kur të kalohet vija e kuqe do të jetë tepër vonë!, përfundoi Gjuriçkoviq.
Tetë muaj pasi Zeta u bë komunë e pavarur, në kuvendin e saj do të paraqitet Deklarata për anulimin e Vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Njeriu i parë i Zetës, Mihailo Asanoviq nga Fronti Demokratik (FD), parti kjo pro-serbe, pranon se nuk do të kishte fuqi ligjore, por duan të përcjellin se qytetarët e Zetës janë kundër politikave të qeverisë aktuale dhe asaj të mëparshme.
Ai beson se në këtë plan do t’i ndjekin edhe qytetet e tjera ku DF ka shumicë.
FD ka gjysmën e këshilltarëve në Kuvendin e Zetës dhe Asanoviq beson se Zeta është vetëm komuna e parë që do të deklarohet për njohjen e Kosovës.
“Jam i sigurt se kjo iniciativë do të vazhdojë në Budvë dhe në disa qytete të tjera dhe se do të përmbushë vullnetin e qytetarëve dhe këshilltarëve”, tha Asanoviq, për Vijesti.
Qeveria e Malit të Zi e njohu pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008 dhe njohja çoi në protesta në Podgoricë, ku shpërthyen trazira. Për shkak të këtij vendimi, një nga liderët e FD-së, Andria Mandiq, kishte hyrë në grevë urie për 13 ditë. /Telegrafi/