Site icon Telegrafi

Gjukanoviq: Mali i Zi nuk do të kthehet nën ombrellën e Rusisë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Milo Gjukanoviq, ka akuzuar partitë serbe në vend se po punojnë për kthimin e Malit të Zi nën tutelën serbo-ruse, por paralajmëroi se ata do të dështojnë në këtë drejtim.

Të dielën në Mal të Zi mbahen zgjedhjet parlamentare dhe kreu i socialdemokratëve sot mbajti një tubim zgjedhor në Tivat, prej nga drejtoi edhe një herë akuza ndaj partive opozitare serbe për nacionalizëm serbo-madh.

Ai tha se megjithëse tre koalicione opozitare serbe operojnë në disa kolona, ‘aleanca e tyre përfaqëson një këmbësori politike të nacionalizmit serbo-madh në Mal të Zi, detyra e të cilëve është që ta kthejnë vendin serish në të kaluarën’.

“Së pari, ata i ofruan Malit të Zi të kthehej në rrethin e Serbisë së zgjeruar, dhe pastaj të linte rrugën evropiane dhe të kthehej nën ombrellën në interes të Rusisë. Dhe tani: të ndriçojë rrugën drejt së ardhmes për Kishën Ortodokse Serbe me dogmat e saj mesjetare?! Unë nuk besoj në atë rrugë”, tha Gjukanoviq, njoftojnë mediat e Malit të Zi. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version