Site icon Telegrafi

Gjuha shqipe e vështirë?!

Ilustrime

Nga: Rami Memushaj

Aty-këtu dëgjojmë të thuhet se fëmijët e trevave me dallime të theksuara dialektore, nuk e mësojnë dot gjuhën standarde apo se gjuha shqipe është e vështirë për t’u nxënë nga fëmijët. Në këtë shkrim, që e merr shtysën nga pohime të tilla, do të përpiqemi të tregojmë se mendime të tilla janë të pambështetura dhe se shkaqet e vështirësive nuk qëndrojnë te gjuha shqipe, po te puna e pamjaftueshme për nxënien e gramatikës së saj.

Për ta kuptuar këtë pohim tonin, duhet të kemi parasysh, së pari, se koncepti “gjuhë” është tepër i përgjithshëm. Ligjërimi i çdo individi ndryshon nga ai i individëve të tjerë në mënyrën si i zgjedh fjalët, si i lidh ato në fjali dhe si i shqipton. Thënë shkurt, shqipja ime është e ndryshme nga shqipja jote. Më tej, ligjërimi i një grupi folësish që banojnë në një trevë të caktuar ka disa veçori të përbashkëta, që e dallojnë nga ligjërimi i banorëve të trevave të tjera. Kjo do të thotë që në ligjërimin e folësve të një gjuhe ka dallime që lidhen me trevën ku rriten e jetojnë, me shkallën e integrimit në shoqëri dhe me nivelin e tyre kulturor.

Pra, gjuha nuk është diçka uniforme; nuk ka, për shembull, një shqipe të përgjithshme. Çdo gjuhë gjallon nëpërmjet të folmeve vendore, domethënë paraqitet si një tërësi variantesh. Në shoqëritë parakombëtare, që nuk kanë shtetin e vet, gjuha shfaqet në trajtën e të folmeve dialektore, të cilat janë variante natyrore të saj. Kurse në shoqëritë që kanë krijuar shtetin e vet, këtyre varianteve natyrore vjen e u shtohet edhe një variant tjetër – gjuha standarde, e cila nuk është e lindur, po “artificiale”, e krijuar për të mundësuar komunikimin pa vështirësi të anëtarëve të një kombi. Gjuha standarde mund të mendohet si një lloj emëruesi i përbashkët i të gjitha varianteve dialektore të një bashkësie kombëtare. Ajo ndërtohet duke marrë prej të folmeve që mbulon, elementet e përbashkëta (tinguj, fjalë, forma gramatikore, skema fjalish) dhe duke lënë jashtë elementet e tyre të veçanta.

Sa më shumë të marrë gjuha standarde nga një variant dialektor, aq më i afërt është ky me të dhe aq më të lehtë e kanë bartësit e këtij varianti për t’i përvetësuar normat e standardit. E kundërta, sa më larg të jetë një variant prej gjuhës së përbashkët, aq më shumë punë u duhet folësve të tij për t’i përvetësuar normat e gjuhës standarde. Në këtë mes, të privilegjuar janë fëmijët që rriten në mjedise familjare e shoqërore (çerdhe, kopshte) ku përdoret gjuha standarde, të cilëve nuk u duhet shumë punë për të përvetësuar normat e gjuhës standarde. Gjithsesi, asnjë fëmijë që e ka shqipen gjuhë amtare, nuk e mëson atë si gjuhë të huaj. Kështu që pohimi se gjuha shqipe është e vështirë për fëmijët shqiptarë, nuk i qëndron së vërtetës.

Ndryshe nga të folmet, të cilat fliten por nuk shkruhen, gjuha standarde flitet dhe shkruhet. Një ndryshim tjetër është se gjuha standarde ka gramatikë të shkruar dhe fjalor shumë më të pasur nga të folmet dialektore. Rregullat e kësaj gramatike përmblidhen në kode të veçanta, siç janë rregullat e drejtshkrimit, të drejtshqiptimit, të pikësimit, të morfologjisë dhe të sintaksës, që përbëjnë normat e saj. Dhe këto norma, meqenëse nuk janë të lindura, duhen mësuar.

Pyetjes se si e mëson fëmija gjuhën, i ka dhënë një përgjigje bindëse gjuhësia moderne, e cila aftësinë e njeriut për të folur e sheh si një ndër aftësitë e lindura (aftësia e të ecurit, e të orientuarit etj.), që njeriu i trashëgon gjenetikisht. Kjo aftësi e njeriut për të folur mund të mendohet si një gramatikë e brendshme që ka për seli trurin (më saktë koren e majtë të hemisferave, ku ndodhen dy qendrat përgjegjëse për të folurit). Kjo gramatikë e brendshme – e njëjtë për të gjithë njerëzit në botë – përmban disa rregulla a parime të përgjithshme.

Fëmija i pajisur gjenetikisht me këtë gramatikë, që kur lind i ekspozohet një mjedisi të caktuar gjuhësor (familja, çerdhja, kopshti) dhe gjatë gjithë kohës regjistron në trurin e tij ligjërimin e njerëzve që rrethojnë, duke arritur që brenda një kohe të shkurtër (që zakonisht zgjat tre vjet) të fiksojë parametrat e gjuhës së cilës i ekspozohet dhe të ndërtojë gramatikën e saj. Natyra e kësaj gramatike varet nga mjedisi ku rritet fëmija. Një fëmijë i ekspozuar ndaj ligjërimit dialektor të trevave veriore, do të ketë në gramatikën e tij zanore hundore, paskajoren e tipit me punue dhe rregullat e përdorimit të saj në fjali etj.; një fëmijë që rritet në një mjedis dialektor të trevës së Korçës, do të thotë shkovi, punovi dhe jo shkoi, punoi; një fëmijë që rritet në trevën dialektore të Beratit, fjalët me rr do t’i shqiptojë me r (rush, rapi, korin grurin etj.). Ndërsa gramatika e një fëmije të rritur në mjedise familjare ose shoqërore ku flitet gjuha standarde, do të ketë shumë pak dallime nga gramatika e kësaj të fundit. Pra, fëmija shqiptar i lindur e i rritur në Shqipëri nuk e mëson gjuhën amtare siç mëson një gjuhë të huaj.

Atëherë, cila është detyra e mësimit të gjuhës amtare në shkollë?

Së pari, mënjanimi i shmangieve nga normat e gjuhës standarde, që rrjedhin nga mospërputhja e ligjërimeve dialektore të fëmijëve me variantin standard të shqipes. Për përmbushjen e kësaj detyre, mësuesit të gjuhës shqipe i duhet të gjejë pikat e mospërputhjes së fonetikës dhe të gramatikës së të folmes së fëmijëve me fonetikën dhe gramatikën e gjuhës standarde dhe të punojë me përkushtim për korrigjimin e “gabimeve” dialektore. Kjo është pjesa më e vështirë e punës me gjuhën shqipe në shkollë, nga buron edhe mendimi i gabuar se gjuhë shqipe është e vështirë. Detyra e dytë është ndërgjegjësimi i fëmijës për gramatikën e vet të brendshme dhe pasurimi i saj me elemente që nuk i ka dialekti (fjalë, kuptime fjalësh e skema fjalish). Këto janë detyrat që ka mësimi i gjuhës amtare në çdo shkollë të botës dhe jo ndërtimi nga e para e një gramatike, siç ndodh kur mësojmë një gjuhë të huaj.

Shqipja është e vështirë për atë që e mëson si gjuhë të huaj, por kurrsesi për nxënësin shqiptar që e ka shqipen gjuhë amtare, sepse themelet e sistemit të saj i ka që pa hyrë në shkollë. Nuk ka gjuhë të lehta dhe gjuhë të vështira, gjuhë të mira dhe gjuhë të këqija. Një gjuhë mund të mos ketë fare as lakim e as zgjedhim, si p.sh. kinezishtja; po kjo gjuhë ka fonetikë të vështirë për shkak të katër a më shumë theksave muzikorë, që janë shkak edhe i një homonimie shumë të pasur dhe i një sintakse që i kërkon më shumë punë të trurit për të rrokur kuptimin e fjalisë. Një gjuhë tjetër mund të ketë morfologji të thjeshtë, si p.sh. anglishtja, po vështirësitë e saj janë në sintaksë dhe në pjesët e tjera të gramatikës. Një gjuhë si shqipja ka morfologji të pasur, me lakim e zgjedhim të zhvilluar, por fonetikë të thjeshtë dhe sintaksë të tejpashme, pasi funksionet e fjalëve në fjali rroken shumë lehtë pikërisht falë morfologjisë së saj, që i dallon qartë format e fjalëve. Po, pavarësisht nga këto dallime, të gjitha këto gjuhë u shërbejnë bukur mirë bashkësive gjuhësore që i kanë gjuhë amtare.

Nga gjithë ç’u parashtrua më sipër, del se mossukseset në mësimin e gjuhës shqipe nuk e kanë burimin në vështirësinë e saj, por, në radhë të parë, në punën e dobët të shkollës: nga njëra anë, në përgatitjen e mangët të mësuesve të gjuhës dhe në punën e tyre pa fantazi krijuese; nga ana tjetër, në rrudhjen e numrit të orëve të kësaj lënde në kurrikulumet, në përmbajtjen e programeve mësimore të gjuhës shqipe dhe në tekstet që hartohen mbi bazën e këtyre programeve, në të cilat njohjes së gramatikës nuk i jepet vendi i duhur. Këta mendojmë se janë faktorët kryesorë të mangësive, ndonëse nuk duhet lënë pa përmendur edhe ndikimi negativ i televizioneve dhe i shtypit të shkruar e elektronik, gazetarët e të cilëve nuk kanë edukim gjuhësor të fituar nëpërmjet shkollimit ose nëpërmjet kualifikimeve gjuhësore.

 

Exit mobile version