Pasi Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar që ky kod të tërhiqet prej seancës së ardhshme plenare deri në ndryshimet e saj në përputhje me komentet e IKD-së.
Kështu tha sot në një konferencë për media Naim Jakaj, hulumtues i Lartë i IKD-së, duke shtuar se Kuvendi i Kosovës në këtë legjislaturë, po edhe në legjislaturat e kaluara është përballë e vazhdon të përballet me përdorimin e gjuhës jo parlamentare “ka pasur edhe përdorim të dhunës fizike ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar me deputetët”.
Mirëpo, siç tha ai Komisioni për Legjislacion nuk e ka hartuar draft kodin e sjelljes në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet ndërkombëtare.
“Drafti aktual përmban disa çështje të cilat minojnë efektivitetin dhe përafrimin e tij me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e parlamenteve demokratike”, tha Jakaj.
Ndryshe, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, në fund të muajit prill kishte miratuar Kodin e Sjelljes për deputetët e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/