Një person ka raportuar se është dëmtuar një xham i banesës, e cila është pronë e një zyrtari policor, nga një predhë e armës.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të premten rreth orës 20:35 në sheshin Vicianum, në Prishtinë.
Tutje bëhet e ditur se dëshmitari e ka raportuar rastin pasi që ka qenë në mbikëqyrje të banesës në mungesë të pronarit.
“Dëshmitari mashkull kosovar ka raportuar se është dëmtuar një xham i banesës pronë e një zyrtari policor nga një predhë e armës. Dëshmitari e ka raportuar rastin pasi që ka qenë në mbikëqyrje të banesës në mungesë të pronarit”, thuhet në raport.
Po ashtu sipas raportit bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes është vërejtur se në dhomën e gjumit janë shkaktuar pesë vrima nga goditja e predhës të cilat kishin depërtuar përmes xhamit të dritares deri brenda në një vitrinë druri.
“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, përball objektit banesor në parkingun e banesës janë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja të armës së shkurtër të kalibrit 7.62 mm. Rasti mbetet nën hetime”, bëhet e ditur në raport të policisë. /Telegrafi/