Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit të LDK-së, Avdullah Hoti.
Haradinaj në T7 ka thënë se kushdo që e ka bërë, veprimin ndaj Hotit, ka bërë shumë mirë dhe sipas tij kjo duhet kuptuar që nuk do të lekohet Serbia dhe Rusia në Kosovë.
Më herët ndaj LDK-së, kishte reaguar edhe ish-Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë Haradinaj, Besnik Tahiri i AAK-së.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, “në temat e dialogut me Serbinë nuk duhet të merren vendime të njëanshme dhe pa koncensus politikë, kjo nuk duhet avancohet”.
“Kosova e ka sfidë reformën në administratën e shtetit, kjo është sfidë e të gjithë ekspertëve për të ndihmuar konsoliduar dhe reformuar shtetin, kurrë skam me u ndal me ndihmu këtë proces”, ka shkruar Tahiri, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë sot se “Kosova duhet të heq tarifën, në mirëbesim me SHBA-të dhe BE-në”.
Mustafa ka thënë se në situatën aktuale është e rëndësisë themelore të ruhet dhe të kultivohet partneriteti me SHBA-të, dhe të vlerësohet roli prijës i tyre në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar më tej se vetëm SHBA mund të përmbyll marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
Ndërkohë, sot afër Qeverisë së Kosovës është sulmuar me vezë zëvendëskryeministri Avdullah Hoti. E sulmuesit e panjohur derisa kanë hedhur vezë në drejtim të Hotit, kanë thënë se taksa nuk bën të hiqet. /Telegrafi/