Telegrafi

Gjuajti me armë në aheng familjar, arrestohet një person në Ferizaj

Policia e stacionit në Ferizaj ka arrestuar një person për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ngjarja ka ndodhur më 19.07.2024 rreth orës 00:30 në rrugën “Epopeja e Jezercit” gjatë një ahengu familjar, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka identifikuar të dyshuarin, D.I. (M/K), 36 vjeçar, tek i cili është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka shtënë në ajër.

Pas arrestimit, D.I. është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe është intervistuar nga hetuesit. Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore. Si provë materiale, arma e zjarrit (pistoleta) është sekuestruar.

Rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.

Policia rajonale e Ferizajt falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe inkurajon të gjithë që të vazhdojnë të bashkëpunojnë me policinë.

Qytetarët që kanë informacione për veprat penale që rrezikojnë jetën, mund të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. Të dhënat e raportuara do të mbahen konfidenciale./Telegrafi/