Site icon Telegrafi

Gjorge Ivanov: E mora këtë vendim për ta nxjerrë vendin nga kriza e rëndë politike

Kryetari Gjorge Ivanov ka vendosur që publikisht të flasë para kamerave për vendimin e tij të fundit për të falur politikanët të cilët janë duke u hetuar, njofton Telegrafi.

Gjatë bisedës me gazetarë të ndryshëm, Ivanovi e krahason këtë vendim të tij me amnestinë e shpallur në vitin 2001 për ish-pjesëtarët e UÇK-së, duke shprehur publikisht mbështetjen e tij edhe për Prokurorinë Speciale Publike (PSP), si edhe kërkon që të ketë zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Më tej, Ivanovi thotë se që nga dita e parë si kryetar shteti, interesin shtetërorë e ka patur në rend të parë dhe se me këtë vendim ka rrezikuar gjithçka, vetëm e vetëm ta nxjerrë vendin nga kriza e tanishme politike, nga e cila është duke vuajtur edhe ekonomia e vendit, biznesi, etj.

Për të gjithë ata që thonë se kryetari ka gabuar me këtë vendim, Ivanovi u thotë se kanë mundësi ta sfidojnë përmes rrugëve të duhura, duke shtuar se historia do të tregojë nëse ka vepruar drejtë dhe nëse e ka mbrojtur interesin shtetërorë.

Në pyetjet e gazetarit Ismail Sinani nëse ka patur mbështetje nga ndërkombëtarët për këtë vendim, se ku i mori të dhënat për të falurit dhe përse nuk i fali edhe të dënuarit e rastit ”Monstra” dhe ”Sopoti” për të cilët ka dëshmi se janë të pafajshëm, kryetari Ivanov dha disa përgjigje të paqarta, ndërkaq nuk u përgjigj aspak në pyetjen rreth rastit ”Monstra” dhe ”Sopoti”./Telegrafi/

Exit mobile version