Deputeti i OBRM-PDUKM-së Vlladimir Gjorçev, sot në konferencë për shtyp njoftoi se do të kandidojë për president në zgjedhjet e prillit.
Ai tha se për këtë ka përvojë, njohuri dhe është i gatshëm që ta udhëheq shtetin e Maqedonisë. Gjorçev shtoi se pushteti i LSDM-së mund të ndalohet vetëm nga presidenti, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Ka momente kur njeriu duhet të përdorë përvojën, dijen dhe të tjerat që ka bërë në të mirë të shtetit. Nuk mund të lejojmë edhe tre vite tjera si këto. Për këto arsye informoj se kandidoj për president të Maqedonisë. Kam nder, njohuri, përvojë, e di gjithë Maqedoninë, i di gjithë komunat, shtetet dhe lagjet. Në tre muajt e ardhshëm do të vizitojë ata dhe do të kërkojë besimin e tyre, pasi mendoj se e meritoj. Kjo qeveri hibride duhet të ketë balancë, nuk duhet të lejohet Zaevi dhe LSDM-në të vazhdojnë kështu dhe këtë mund ta bëjë presidenti i shtetit”.
“Ata që janë skeptik dhe duan informacione shtesë do ta bëjë këtë. Në tre muajt e ardhshëm do të sqarohem për të gjithë ata që kanë dyshime. Më 21 prill ju pres unë, por edhe së paku 500 mijë qytetarë për ta kthyer shpresën”, tha mes tjerash Gjorçev.
Ai ju bëri thirrje qytetarëve shqiptarë në vend, për të cilët tha se janë mashtruar nga LSDM-ja dhe Zoran Zaevi, ta mbështesin në votimet për president të shtetit. Gjorçevi pas përfundimit të konferencës, nuk pranoi pyetje nga gazetarët./Telegrafi/