Kryeministri Ramush Haradinaj, priti sot në takim anëtarin e Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj dhe delegacionin shqiptaro-amerikan.
Haradinaj ka thënë se kanë biseduar për shumë tema me rëndësi për shqiptarët dhe se shqiptarët ende kanë nevojë për Amerikën.
Kryeministri Haradinaj tha se ka nderin ta nderojë Gjonajn me dekoratën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e motivi është lartësimi i vlerave kombëtare.
‘Mark Gjonaj është i zgjedhur i popullit në New York. Kemi biseduar shumë tema, prej shqetësimeve të punëve në Kosovë, e kemi edhe një situatë festive, me 3 mars votojnë shqiptarët e Tuzit, i ftojmë të gjithë shqiptarët me votu. Ne ende shqiptarët në Ballkan kemi nevojë për njerëzit tanë në Amerikë që vazhdojmë të qëndrojmë bashkë”, tha Haradinaj.
E anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj ka thënë se është nder për të që sot ndodhet në Kosovë, në vigjilje të 11- vjetorit të pavarësisë së vendit.
Gjonaj ka theksuar nevojën për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ndërsa shtoi se marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve janë dhe do të jenë gjithmonë të forta.
“Është nder i madh që jam këtu, pasioni dhe emocionet që kisha kur eca në sheshet e Prishtinës, dhe të jesh në mes të këtyre njerëzve është diçka që do e kujtoj shumë vjet. Ne biseduam edhe për vazhdimin e dialogut sepse është në interes të Kosovës, kjo ndihmon në ndërtimin e të ardhmes për të gjithë shqiptarët në botë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-ve janë të forta dhe gjithmonë do të jenë. Kosova është vend i pavarur dhe po vepron si i tillë”, tha Gjonaj.
Ai ka thënë se nuk është sot në Prishtinë me mision nga ShBA për heqje të takës ndaj Serbisë. /KP/Telegrafi/