Telegrafi

Gjobitet për ndotje nënkontraktuesi i përfituesit të tenderit

Pas fillimit të aksionit për largimin e mbeturinave inerte në “Fushën Pajtimi”, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçla, ka vazhduar me planin për inspektimin dhe shqiptimin e gjobave ndaj ndotësve të mjedisit.

Gjatë inspektimit, u has në një kamionetë që për qëllim kishte hedhjen e mbeturinave, ndërsa, sipas mbishkrimeve, dyshohej se është e nënkontraktuar nga një kompani që është përfituese në tenderët që paguhen nga taksapaguesit.

Të njëjtës, nga autoritetet komunale iu shqiptua dënimi, ndërsa Sveçla tha se Komuna e Prishtinës është në procesin e dizajnimit të sistemit për mbrojtje, pastrim dhe ndëshkim.

“Pra, do të parandalojmë hedhjen e mbeturinave dhe natyrisht, në rastet ku ne gjejmë shkelës të ligjit që hedhin mbeturina dhe e ndotin ambientin, do t’i dënojmë ata dhe të gjitha këto dënime do t’i fusim në fondin për pastrimin e Prishtinës. Çdo shkelës i ligjit, i cili do të ndot ambientin, do të gjobitet nga 50 euro e deri ne 50.000 euro, varësisht nga sasia dhe lloji i mbetjeve”, tha Sveçla.

Ai gjithashtu iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë sa më bashkëpunues në mbrojtjen e mjedisit. /Telegrafi/