Telegrafi

Gjobitet me një mijë euro drejtuesi i gomones në Dhërmi, rrezikoi jetën e pushuesve

Është gjobitur me 100 mijë lekë të reja  (rreth një mijë euro) drejtuesi i një mjeti lundrues në Dhërmi.

Teksa lundronte ky person ka shkelur perimetrin e sigurisë në ujë duke u bërë kështu rrezik për pushuesit.

Njoftimi i policisë shqiptare:

Shkeli perimetrin e sigurisë ujore dhe u kthye në rrezik për pushuesit që frekuentonin plazhin, bllokohet menjëherë nga shërbimet e Njësisë Policore Detare Dhërmi, mjeti lundrues gomone.

Ndëshkohet me masë administrative 100 000 lekë të rinj, drejtuesi i mjetit lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e  Palasës, duke bërë bllokimin e një mjeti lundrues gomone që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre.

Shërbimet e Policisë ndëshkuan drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin K. M, me masën administrative 100 000 lekë të rinj si dhe bllokuan mjetin lundrues gomone në Portin Himarë.