Telegrafi

Gjobiten pesë superfuqitë financiare të botës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të gjobisin pesë ndër bankat më të mëdha në vend, pasi akuzohen për manipulime valutash dhe të normave bazë të interesit.

Sipas mediave amerikane, JPMorgan, Citigroup, Barclays, RBS dhe UBS AG do të paguajnë deri në 5.7 miliardë dollarë gjoba.

Katër nga këto banka, JPMorgan, Citigroup, Barclays dhe RBS kanë pranuar fajësinë ndaj akuzave penale të ngritura nga drejtësia amerikane, ndërsa e pesta, UBS AG, do të deklarohet fajtore për manipulim të normave të interesit.

Nga të pesta bankat, Barclays ka marrë gjobën më të lartë prej 2.4 miliardë dollarë pasi ndryshe nga institucionet homologe, nuk iu bashkua hetimeve të enteve rregullatore amerikane, britanike dhe zvicerane të nisura në nëntor.

Prokurorja e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Loreta Lynch deklaroi se “thuajse çdo ditë” për 5 vjet, nga viti 2007 në 2012, tregtarët e valutës kanë përdorur një dhomë bisedash elektronike private për të manipuluar normat.

“Veprimet e tyre kanë dëmtuar një numër të pallogaritshëm konsumatorësh, investitorësh dhe institucionesh në mbarë botën”, deklaroi kryeprokurorja Lynch.

Strategji të shumta për të realizuar manipulimet dhe një skemë e përbashkët u përdorën gati përditë për të fiksuar nivelet e valutave.

Përmes këtij veprimi, sugjerojnë hetimet, mbështeteshin biznese dhe investitorë për të bërë sa më fitimprurëse asetet e tyre multivalutore.