Policia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, sot në orët e para të mëngjesit në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë në fshatin Prelez të Ferizajt ka ndaluar tre shoferë të cilët me automjetet e udhëtarëve shkaktuan kundërvajtje në komunikacion “Përdorimi i alkoolit gjatë ngasjes”.
Në lidhje me këtë policia ndaj shoferëve: A.A (M/K) i moshës 42 vjeçar dhe S.A (M/K) i moshës 39 vjeçar u shqiptoi nga një gjobë sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 200 euro, 2 pikë negative dhe gjashtë muaj masë mbrojtëse heqje e patentë shoferit, ndërsa ndaj tjetrit shofer B.S (M/K) i moshës 46 vjeçar, policia i shqiptoi një gjobë prej 300 eurove, 2 pikë negative dhe nëntë muaj heqje e patentë shoferit.
Të tre shoferët në tërësi i pranuan kundërvajtjet e shkaktuara, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë ligjin e komunikacionit rrugor, të mos drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit.
Veprimet e tilla rrezikojnë jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, thuhet në reagim. /Telegrafi/