Rregullatorët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani dhe Zvicër kanë vendosur 3.4 miliardë dollarë gjoba për pesë banka ndërkombëtare.
Ky është rasti i parë që autoritetet e tre vendeve dalin me një qëndrim të përbashkët, si pjesë e hetimit global për dyshimet në lidhje me manipulimin e tregjeve të këmbimit valutor. Bankat e penalizuara janë: RBS me 634 milionë dollarë, JPMorgan me 662 milionë dollarë, Citi me 668 milionë, HSBC 618 milionë dhe UBS 799 milionë dollarë. Që të pestë huadhënësit ranë dakord me autoritetet për të paguar këto gjoba për shkak të manipulimit të tregut financiar më të madh në botë, me një volum prej 5.3 trilionë dollarë transaksione në ditë.
Grupet, që e quanin veten “lojtarët”, “3 muskëtjerët” dhe “bashkëpunuesit”, përbëheshin nga tregtarët e këtyre bankave dhe u zbulua se ata kanë tentuar të manipulojnë kriteret kyçe të tregut të Forexit, duke përfshirë edhe pozicionet e ofruara nga bankat qendrore. Duke përdorur “dhoma” të veçanta bisedimi online dhe një fjalor të veçantë, tregtarët janë përpjekur gjithashtu të modifikojnë urdhrin “stop humbjeve” nga klientët.
“Urdhëri “stop humbjeve” është një nivel i caktuar që vendoset nga klientët për të shmangur humbjet e mëdha. Gjithashtu ata kanë shkëmbyer informacione konfidenciale në lidhje me urdhrat e klientëve. Pas publikimit të këtij raporti reagoi edhe ministri britanik i financave, George Osborne.
Ai tha se sot janë marrë masa të ashpra për të pastruar korrupsionin, në mënyrë që të kemi një sistem financiar që funksionon për të gjithë. “Kjo është pjesë e një plani afatgjatë, që ka për qëllim të rregullojë atë që shkoi keq me bankat britanike dhe me ekonominë”, shtoi Cameron. /Telegrafi/