Telegrafi

“Gjithmonë ditëlindjet bashkë” – Rexhep Selimi feston sot ditëlindjen, bashkëshortja dhe fëmijët e vizitojnë në Hagë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, feston sot ditëlindjen.

E në këtë datë të rëndësishme për të, bashkëshortja e tij Shqipe Selimi së bashku me dy fëmijët  kanë vizituar Selimin në Hagë.

Këtë e ka bërë të ditur Shqipe Selimi përmes një postimi në Facebook, ku edhe i ka uruar ditëlindjen bashkëshortit të saj.

“Urime ditëlindja Rexhë! Gjithmonë ditëlindjet bashkë!” , ka shkruar ajo.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /Telegrafi/