Site icon Telegrafi

BE: I gjithë rajoni mbështesin vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi

Federica Mogherini, përfaqësuese e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë/zëvendës-Presidente e Komisionit Evropian, priti të dielën në mbrëmje në një darkë tradicionale pune udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në margjinat e Asamblesë së 74-të të Përgjithshme të KB në Nju Jork.

Sipas një njoftimi, përcjell Telegrafi, në funksion të perspektivës së qartë të Bashkimit Evropian që ka Ballkani Perëndimor, ajo dhe përfaqësuesit nga rajoni rishikuan përparimin thelbësor të arritur dhe shikuan detyrat që i presin.

Ata, siç thuhet tutje, shprehen mbështetje për hapjen e negociatave të pranimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke nënvizuar se ky vendim është thelbësor jo vetëm për të dy vendet në fjalë, por për të gjithë rajonin dhe për BE-në.

“Të gjithë ata mbështetën vazhdimin e Dialogut Serbi-Kosovë dhe përfundimin e hershëm të një marrëveshje juridikisht detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, thuhet në njoftim.

“Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan angazhimin e tyre të fortë për perspektivën e BE-së, duke theksuar se puna për reformat vazhdon, siç janë bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor u shprehën solidaritet me Shqipërinë pasi vendi u godit nga një seri tërmetesh të forta këtë fundjavë”, përfundohet në njoftimin e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version