“Topit të Artë” është trofeu më prestigjioz midis çmimeve individuale për futbollistët.
I dhënë për herë të parë nga revista franceze “France Football”, më 1956, “Ballon d’Or” prodhohet nga “Mellerio dits Meller”, argjendaria e famshme e themeluar më 1613.
Me një përvojë të pasur në artin e saj, familja Mellerio ka prodhuar gjatë shekujve stolitë e oborreve mbretërore anembanë Evropës, për të mos përmendur pastaj argjendurinat fetare, shpatat ceremoniale, ornamentet dhe trofetë.
Një nga trofetë sportivë më të njohur nga kjo argjendari është Coupe des Mousquetaires, e cila i jepet kampionit të meshkujve në turneun e tenisit French Open.
“Për prodhimin e këtij trofeu të mrekullueshëm duhen shumë orë pune”, thotë drejtuesi aktual i argjendarisë, François Mellerio, duke shpjeguar punën që bëhet për “Topin e Artë”. “Është një proces që përfshin disa mjeshtër: argjendar, shkrues, gdhendës, pranues dhe lustrues.
Të gjithë janë më të mirët në zanatin e tyre dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë që krijojmë këtë trofe legjendar”.
Futbolli ka ndryshuar shumë që nga koha kur Alfredo Di Stefano fitoi “Topin” e parë më 1956, por vetë trofeu ka mbetur pothuajse i njëjti.
Ai përbëhet nga dy gjysmësfera prej tunxhi, të cilat marrin formë duke i goditur me çekan nga ana e kundërt. Pastaj dy pjesët saldohen nga argjendari me pipëz saldimi. Pas tij e merr në dorë skalitësi, i cili e mbush topin me zift. Me daltë e çekiç, ai ndjek vijat e bëra me laps mbi sipërfaqen e lëmuar të metalit dhe formon qepjet e topit.
Pasi mbaron punë, e heq ziftin nga topi dhe ia rikthen argjendarit për ta lëmuar dhe gdhendur logon e FIFA Ballon d’Or. Në fazën e fundit të procesit, trofeu zhytet në ar të shkrirë, para se të fiksohet mbi një bazë piriti.
Me përmasat 31 centimetra e 23 i gjerë në të dy dimensionet e bazës, pesë kilogram arti prej 18 karatësh “Topi i Artë” është gati për t’iu dorëzuar fituesit, emri i të cilit gdhendet mbi trofe vetëm pas ceremonisë së dhënies së çmimit. Emri i tij do të shkruhet edhe në një pllakë të ngjitur me bazën.