Site icon Telegrafi

Gjithçka që ndodhi në protestën e veteranëve dhe reagimet pozitë-opozitë

Nën brohoritjet “UÇK, UÇK”, “Për Kosovë jetën kem me dhanë”, “Mashtruesit jashtë”, qindra veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) protestuan të hënën para ndërtesës së Kuvendit, për shkak të mospërfshirjes së kësaj kategorie në Projektligjin për pagën minimale.

Protestës iu bashkuan edhe disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët kërkonin që Qeveria të tërheq Projektligjin në fjalë.

Protesta nisi në orën 10:00 në mënyrë të qetë, por eskaloi shpejt.

Protestuesit hynë me forcë në oborrin e Kuvendit, pavarësisht që aty ishin vendosur pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët tentonin të mbanin rend.

Pas hyrjes së protestuesve në oborr të parlamentit, u hodh gaz lotsjellës, por nuk dihet nga kush.

Lexo po ashtu Eskalimi i protestës së veteranëve, shtohen forcat policore – përdoret sërish gazi lotsjellës

Fillimisht u raportua në media se gazin lotsjellës mbi protestuesit e hodhi Policia, por kjo e fundit përmes një komunikate për media e mohoi një gjë të tillë.

Policia njoftoi se “si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy prej tyre kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor”.

Po ashtu, policia tha se një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasoj e gazit/tymit të hedhur.

Lexo po ashtu OVL e UÇK-së paralajmërojnë vazhdim të protestave: Pushteti po dëshiron të na heq nga ligji për pagën minimale

Rreth çështjes së hedhjes së gazit lotsjellës pati akuza nga partia në qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje, drejtuar Partisë Socialdemokrate (PSD).

“PSD u hedh gaz lotsjellës veteranëve vetëm që të eskalojë protesta. Kaq tregon mjaftueshëm për sinqeritetin e angazhimit të tyre”, shkroi në Facebook, Egzon Azemi nga LVV-ja.

Por, Nol Nushi i PSD-së iu përgjigj Azemit me një fjali të vetme: “brina s’ka…faljani”.

Protesta përfundoi pas gati tre orësh, ndërkohë që seanca e Kuvendit ku ishte planifikuar të diskutohej për Projektligjin e ri për rritjen e pagës minimale nga 170 euro sa është aktualisht në 264 euro, përfundoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Xhavit Jashari, si përfaqësues i veteranëve tha se nuk do të lejojnë që Qeveria e Kosovës t’i nëpërkëmbë veteranët e UÇK-së, derisa bëri thirrje që të mos votohet projektligji, i cili i ndan pensionet e veteranëve nga paga minimale.

Kryetari i Shoqatës se Familjarëve të Dëshmorëve (SHFD), Xhavit Jashari, deklaroi se qëllimi i protestës së gjashtë majit ishte të dërgohet mesazhi tek institucionet e vendit dhe të bartësit e tyre, siç janë kryeministri dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Veteranët e lirisë nuk do të lejojnë që tutje të nëpërkëmben dhe të mos iu jepet e drejta e tyre, që edhe këta të kenë një jetë të dinjitetshme si të gjithë të tjerët”, u shpreh Jashari në RTV Dukagjini.

Pensioni i veteranëve, sipas ligjit mbi këtë kategori, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në projektligjin që qeveria dërgoi në parlament nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.

Projektligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit luftëtar të UÇK-së, Qeveria e Kosovës, me propozimin e ministrisë për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni i mundshëm”./Telegrafi/

Exit mobile version