Telegrafi

Ceremonia mortore e Mbretëreshës Elizabeth II

Foto: Reuters

Liderë nga e mbarë bota u bashkuan sot në Londër, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Mbretëreshës Elizabeth II, e cila si trashëgues froni la pas vetes të birin Charles, i cili tani mban titullin e Mbretit Charles III.

Të pranishëm kishte edhe figura nga fusha e sportit, teatrit e muzikës, që u nisën drejt Westminster për t’i dhënë përshëndetjen e fundit Elizabeth II, transmeton Telegrafi.

Në mesin e liderëve që morën pjesë është edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili së bashku me gruan e tij ishte i pranishëm në ceremoninë mortore.

Në anën tjetër mijëra qytetarë nga Britania por edhe vende të ndryshme të botës “pushtuan” rrugët e Londrës, për t’u përshëndetur me Mbretëreshën.

Ata hodhën lule para kortezhit të arkivolit që po transportohej drejt kapelës në Winsdor. E rojat e nderit që kishin për obligim të kujdesen për arkivolin, qëndruan pranë kurorës – duke nderuar veprimtarinë e Mbretëreshës.

Me të kryer mesha ku të pranishëm ishin edhe politikanët britanikë por edhe ata të vendeve tjera, familjarët e rrethit të ngushtë falënderuan pjesëmarrësit.

E me të zbritur arkivoli në varrezat mbretërore në kapelën e Shën George në Winsdor, të pranishmit u shpërndanë.

Ndërkaq në ora 20:30 pritet të varroset pranë bashkëshortit – Princit Philip në një ceremoni private, ku pjesëmarrës do të jenë vetëm familjarët. /Telegrafi/