Tyson Fury do ta zhvillojë meçin e dytë me radhë që nga rikthimi i tij në ring, ndërsa kundërshtari i radhës është Francesco Pianeta.
Boksieri britanik është duke e kërkuar rikthimin në majat e boksit, ndërsa pas duelit ndaj Sefer Seferit do të ndeshet me boksierin italian.
Ku dhe kur zhvillohet dueli
Meçi zhvillohet të shtunën në Windsor Park të Belfastit në Irlandën e Veriut.
BT Sport 1 do të nisë mbulimin e dueleve të boksit nga ora 20:45, pasi të ketë përfunduar derbi i Ligës Premier ndërmjet Chelseat dhe Arsenalit.
Mbrëmja e boksit do të nisë me duelin ndërmjet Paddy Barnes dhe kampionin e peshave super të lehta të WBC-së, Cristofer Rosales.
Fury dhe Pianeta pritet t’i bëjnë hyrjet e tyre rreth orës 22:00.
Çfarë qëndron për Furyn në rast fitoreje
Një fitore për Furyn (26-0, 19 KO) do t’ia siguronte meçin ndaj kampionit të WBC-së, Deontay Wilder, me të cilin do të ndeshej gjatë këtij viti.
Amerikani do ta ndjekë nga afër duelin në rolin e analistit televiziv, ndërkohë që britaniku nuk do të ketë punë shumë të lehtë ndaj sfiduesit të dyfishtë për titullin e botës, i cili numëron 35 fitore nga 41 meçe, 21 prej të cilave i ka arritur me nokaut.
Fury është një ish-kampion i WBA, IBF dhe WBO, dhe nëse siguron një meç për titull, tre vite pasi e mposhti Wladimir Klitschkon, do të ishte një arritje shumë e madhe.
30-vjeçari u suspendua nga boksi në vitin 2016, pasi doli pozitiv në substanca të ndaluara dhe për shkak të problemeve mendore.
Dueli me Wilder do të zhvillohej në nëntor ose dhjetor në SHBA (në New York apo Las Vegas).
Fjalët para meçit
Fury nuk kishte nevojë të ishte në formën më të mirë ndaj Sefer Seferit në muajin qershor, sepse përballej me një kundërshtar që bënte gara në peshat e mesme. Mirëpo, kësaj radhe ka premtuar se do të bëjë një paraqitje të madhe në Windsor Park.
Ai njëherësh i ka hedhur poshtë shqetësimet për kondicionin e tij duke thënë se ndihet në formë shumë të mirë.
Kush është Pianeta
Ish-kampioni evropian në kategorinë e peshave të rënda, do të ketë një disavantazh në peshë dhe në gjatësi ndaj Furyt.
Në karrierën e tij, italiani që jeton në Gjermani, numëron katër humbje, nga: Wladimir Klitschko (2013), Ruslan Chagaev (2015), Kevin Johnson (2017) dhe Petar Milas (2018).
Ai renditet në vend të 138 në botë dhe do të jetë një kundërshtar shumë më i vështirë se Seferi, i cili duroi vetëm katër raunde.
Parashikimi
Ky është një tjetër hap i Tyson drejt rikthimit të tij në majat e boksit dhe do të jetë shumë më i vështirë se dueli ndaj Sefer Seferit. Fury duhet të tregojë më shumë aftësi dhe teknikë.
Pritet që britaniku të fitojë me nokaut në raundin e shtatë ose të tetë.
Përballjet tjera
Carl Frampton (35-41, 21 KO) mbron titullin e WBO-së në kategorinë shumë të lehtë kundër Luke Jackson (16-0, 7 KO).
Ashtu si Paddy Barnes, edhe Sean McComb dhe Steven Donnelly i bëjnë debutimet e tyre profesionale, ndërkohë që në aksion janë po ashtu edhe Luke Keeler, Conrad Cummings, Lewis Crocker dhe Marco McCullough. /Telegrafi/