Site icon Telegrafi

Gjithçka që duhet të dini për statujën e legjendës Fadil Vokrri

Në dy vjetorin e vdekjes së legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrri, u mbajt ceremoni përkujtimore, ku u zbulua edhe buceta fituese e shtatores që do të nderohet në kujtim të tij.

Në praninë e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ministres për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, familjarëve të Fadil Vokrrit e shumë figurave tjera, u zbulua se si do të duket shtatorja.

Në këtë ceremoni përkujtimore u treguan edhe shumë detaje rreth shtatores, ku gjatësia e saj pritet të jetë tre metra.

Ajo do të kushtojë 49 mijë euro, ndërsa pritet të vendoset në stadiumin që mban emrin e tij “Fadil Vokrri” në Prishtinë sipas komunikatës së MKRS-së.

Si futbollit Vokrri ka bërë karrierë në klube si Llapi, Prishtina, Partizan Beograd, Nimes Olympique, Fenerbahce, Bourges dhe Montluçon.

Dashuria e madhe për të erdhi kur me Prishtinën u ngjit në Ligën e Parë të Jugosllavisë, ku si kapiten dhe me golat e tij e udhëhoqi klubin për gjashtë vite.

Vokrri ishte kryetar i FFK-së që nga viti 2008 deri në vdekjen e tij në vitin 2018.

Në kohën sa ishte kryetar Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA.

Ai u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare pas një sulmi në zemër. /Telegrafi/ 

Exit mobile version