Telegrafi

Gjithçka gati që De Jong të ‘transportohet’ në Angli: Zyrtarët e Unitedin kanë arritur në Barcelonë

Dyshja e Manchester United, John Murtough dhe Richard Arnold, janë fotografuar në Barcelonë – derisa klubi vazhdon të jetë i lidhur me një transferim të Frenkie de Jong.

Murtough dhe Arnold janë personat përgjegjës për transferime te klubi anglez.

Gazetari spanjoll, Gerard Romero, ka publikuar pamje ku dyshja në fjalë shihen në qytetin e Barcelonës.

Sipas tij, ata janë takuar me zyrtarët e klubit katalunas; Mateu Alemany, Rafa Yuste dhe Jordi Cruyff.

Deri më tani nuk ka informata të tjera, derisa tani janë rritur edhe më shumë spekulimet për transferimin e de Jong në “Old Trafford”.

25-vjeçari vazhdon të jetë objektivi kryesor i Man Unitedit për këtë afat kalimtar të verës.

Trajneri te “Djajtë e Kuq”, Erik ten Hag, e dëshiron ribashkimin me mesfushorin e Barcelonës, me të cilin kishte punuar te Ajaxi.

Ndryshe, Frenkie de Jong me Barçën ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026. /Telegrafi/