Telegrafi

Gjithçka gati për ardhjen e Rita Orës në Kosovë, miratimi i buxhetit pritet javën e ardhshme (Foto)

Javën e ardhshme miratohet buxheti për ardhjen e Rita Orës në Prishtinë.

Në datën 17 shkurt me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë, do të shënohen shumë aktivitete.

E një ndër ta do të jetë edhe koncerti madhështor që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në të cilin do të performojë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora.

Këngëtarja me famë botërore Rita Ora do të jetë në Kosovë më 17 shkurt

Për ardhjen e saj dhe organizimin e koncertit deri më tani nuk ishte miratuar ndonjë buxhet nga Qeveria e Kosovës, mirëpo kjo gjë pritet të ndodhë javën e ardhme.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin edhe këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, njëherësh pjesë e Këshillit Organizativ për Shënimin e 10 të Pavarësisë.

“Ky buxhet pritet të miratohet javën e ardhshme, dhe është vetëm një çështje procedurale. Ardhja e yllit botëror në Kosovë, ka shpenzimet e veta, dhe asnjë nga kompanitë vendore nuk mund ta kryejë organizimin pa bashkëpunimin me ndonjë kompani rajonale”, tha Behramaj për Telegrafin.

Adil Behramaj

Tutje, ai tregoi se punimet për koncertin kanë filluar, dhe gjithçka do të jetë gati deri një ditë para ditës festive.

“Skena për koncertin e Rita Orës tashmë ka nisur të rregullohet në sheshin ‘Skendërbeu’, dhe pritet që së shpejti të përfundojnë punimet. Bisedimet e fundit me familjen e këngëtares dhe menaxhmentin e saj, konfirmuan edhe njëherë ardhjen e saj në Prishtinë”, ka përfunduar Adil Behramaj për Telegrafin.

Pamje nga përgatitjet e skenës për koncertin e 10 vjetorit të Pavarësisë

Në vazhdën e festës së 10 vjetorit të Pavarësisë do të organizohen edhe shumë aktivitete dhe koncerte të tjera për gjatë gjithë javës në kryeqytet. /Telegrafi/