Site icon Telegrafi

Gjithçka filloi nga një poezi …

Poeti amerikan Jeff Weddle duke mbajtur në dorë antologjinë e poezive të tij, “Vritmë nëse ke koqe”, të përgatitur dhe përkthyer nga Fadil Bajraj

Nga: Flutura Oruqi 

Më shumë se pesëmbëdhjetë vite më parë, libri “Bohemian New Orleans” i Jeff Weddle-it, sado e çuditshme që mund të duket, gjeti rrugën drejt këtij vendi të vogël, të shkatërruar nga lufta në Evropën Juglindore, të quajtur Kosovë. Ky libër, i cili prej shumë vitesh është pjesë e bibliotekës personale të Fadil Bajrajt, flet për një shtëpi të vogël botuese që tërhoqi vëmendjen si botues i parë i Charles Bukowski-t, dhe nuk është rastësi që përkthyesi i parë i Bukowski-t në shqip, Fadili, kishte hasur në të.

Fadil Bajraj, një përkthyes i njohur i letërsisë anglo-amerikane, është personi përgjegjës për prezantimin e poetëve të Brezit Bit te lexuesit shqiptarë gjatë viteve tetëdhjetë. Në fakt, Bitët u bënë të njohur brenda një grupi të vogël lexuesish në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë, veçanërisht me botimin e revistës voluminoze letrare “MM” në vitin 1997. Në atë kohë unë studioja letërsi në Universitetin e Prishtinës. Vendi ishte në prag të luftës, kështu që unë dhe miqtë e mi mblidheshim shpesh në shtëpinë e prindërve të mi për të shkëmbyer libra dhe shënime. Ngandonjëherë lexonim poezi, shpesh poezi patriotike. Më kujtohet hera e parë kur ua prezantova revistën MM dhe fillova të lexoja disa nga poezitë e Ginsberg-ut. Mbetem pa fjalë. Mes shumë kontradiktave që karakterizojnë Ginsberg-un, për ne, ishte hera e parë që fjalët: penis, vaginë dhe bythë ishin pjesë e diskursit poetik dhe sado vulgare të konsideroheshin, ato nuk e vulgarizonin poezinë. Kjo ishte diçka e re për ne dhe pavarësisht se sa befasuese ishte për ne prezenca e atij lloj fjalori në një revistë të tillë prestigjioze, në të njëjtën kohë ishte gjithashtu një përvojë e jashtëzakonshme, një përvojë iluminuese. Mendoj se kjo përvojë ilustron disi atë që Bob Marley i referohet si “emancipim nga skllavëria mendore”.

Duhet të kemi parasysh se në atë kohë ne ishim skllevër të mentalitetit provincial ku mes shumë paradigmave ishte edhe kjo: atdheu vetëm lavdërohet, nuk kritikohet. Ishin përkthimet e Fadil Bajrajt që ndryshuan përgjithmonë perceptimet tona për botën, jetën dhe mbi të gjitha poezinë. Po ashtu, më duhet të përmend se në atë kohë u botua antologjia e parë e poezisë rok në gjuhën shqipe e përkthyer nga Fadili.

Për brezin tim, kontakti me këtë lloj letërsie ishte diçka që zhvlerësonte gjithçka që kishim mësuar nga librat mbi teoritë letrare. Mbaj mend që Fadil thoshte se është vetëm çështje kohe kur poezia rok do të përfshihet në kurikulat universitare.

Viti 2016 e dëshmoi këtë. Bob Dylan fitoi Çmimin Nobel për Letërsi. Nga një brez që ishte rritur i shtypur, ne u shndërruam në një brez mendjehapur dhe që i thotë gjërat troç. Ishim me dhjetëra, na quani ndjekës ose dishepuj, qyshdoqoftë, që ndikoheshim drejtpërdrejt nga qëndrimet jokonvencionale të Fadilit. Ai ishte guruja ynë, “hipsteri ynë me kokë engjëlli”. Ai na inkurajonte të kishim mendimet tona për letërsinë, artin dhe politikën. Ai na thoshte shpesh “Ginsberg dhe Bitët, Pound dhe shumë shkrimtarë të tjerë ndryshuan Amerikën dhe botën. Jo bomba atomike!”

Fadili ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës, por së shpejti flokët e tij të gjatë, palltoja ushtarake që të përkujtonte Ian Curtis-in dhe xhinset e grisura do të tërhiqnin vëmendjen e profesorëve të tij, duke çuar në shumë mosmarrëveshje të cilat rezultuan që ai të braktis Universitetin. Duke u larguar nga fakulteti ai bëri një akt të paprecedentë: pshurri mu në hyrje të Universitetit në mes të ditës. Ai nuk u kthye më atje deri në ditën kur unë diplomova, rreth 30 vjet më vonë.

Të kthehemi te libri “Vritmë nëse ke koqe”. U deshën pothuajse dy dekada që emri i Jeff Weddle-it të rishfaqej në bisedat e mia me Fadilin kur ai përktheu dhe botoi poezinë e Jeff-it “Manifesti”. Më bëri përshtypje guximi i këtij shkrimtari. Menjëherë i shkrova Fadilit: kush është Jeff Weddle? Ai më shpjegoi se Weddle është autori i “Bohemian New Orleans”, dhe unë isha ajo që e kisha sjellë personalisht librin në Kosovë. E kisha harruar. Kishin kaluar pothuajse dy dekada, megjithatë ende mbaja mend emrat Gypsy Lou dhe Jon, themeluesit e LouJon Press-it për të cilët edhe bëhej fjalë në libër ngase i kisha lexuar të gjithë librat me letrat e Bukowskit. Edhe pse disi z. Weddle më kujtoi Ginsberg-un dhe Bukowsk0in, dy shkrimtarë krejtësisht të ndryshëm, ai nuk i ngjan asnjërit prej tyre. Ajo që më bëri më shumë përshtypje përveç stilit të tij ishin pikëpamjet e guximshme politike, metaforat e pazakonta dhe shkrimi i tij përgjithësisht autentik.

Fadili kontaktoi z. Weddle përmes Facebook-ut dhe së shpejti z. Weddle do t’ia dërgonte të gjithë librat e tij Fadilit në Kosovë. Fadilit i pëlqyen librat, i përkthente poezitë dhe m’i dërgonte pothuajse çdo ditë nga një ose dy poezi, dhe në fakt aty na lindi ideja për botimin e kësaj përmbledhjeje. Poezitë e tij ngjasonin me realitetin tonë politik dhe shoqëror në Kosovë sado të ndryshme dhe të largëta ishin vendet tona. Siç thashë më parë më bëri përshtypje elementi patriotik në poezinë e tij; më kujtoi Ginsberg-un. Por, më së shumti më bënë përshtypje shqetësimet e tij të shprehura në të gjithë librin për të ardhmen e vendit të tij dhe krizat me të cilat po ballafaqohet shoqëria amerikane. Rritja e dhunës dhe krimit në familje, rritja e dallimeve racore, sociale dhe kulturore, dallimet e thella politike janë vetëm disa nga temat e trajtuara në këtë libër. Njerëzit që po mbajnë gjurin në fyt të Amerikës janë të njëjtët njerëz që u rritën duke u zotuar për besnikëri ndaj Flamurit dhe Republikës: për një komb të pandarë.

Nëse Fadili e mësoi atdhedashurinë nga Bob Dylan, siç thotë në një nga intervistat e tij të rralla, unë disi e mësova nga Ginsberg-u. Patriotizëm, në mes tjerash është edhe atëherë kur kritikoni abuzimin e pushtetit politik nga ata në qeveri, edhe atëherë kur kërkoni llogaridhënie nga qeveria e juaj, e edhe atëherë kur kërkoni përgjegjësi dhe drejtësi institucionale.

 “I pashë mençurakët më të mirë të brezit tim të shkatërruar nga çmendia”, vargu i parë i Ulërimës duket më i rëndësishëm sot se kurrë. Sot po përballemi me kohë edhe më demonike. Sipas Jeff Weddle-it Amerika nuk duket se ka mësuar shumë nga kritikat e Ginsberg-ut dhe veçanërisht ky qëndrim këmbëngulës dhe megaloman i qeverisë amerikane është kritikuar në shumë poezi që përfshihen në këtë përmbledhje. Duke qenë një kritik i madh i lidershipit republikan, poezia e z. Weddle zhvesh qëllimisht mitin amerikan dhe ekspozon ëndrrën amerikane. Ëndrra amerikane po shndërrohet në makth amerikan: Gjaku është i lirë kur derdhet nëpër botë ndërsa gjaku i njerëzve këtu është problem sall kur ankohemi (Shikoni së pari Amerikën). Amerika e rinisë së tij ka marrë fund. Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet çdo ditë. Si kudo në botë, pjesa më e cenueshme e shoqërisë vuan pasojat derisa dikush po përfiton nga kjo situatë. Me fjalë të tjera, poezia e tij është një kundërshtim i kësaj politike që po e tërheq Amerikën drejt një të ardhmeje të pasigurt. Nëse Amerika do të shkatërrohet ndonjëherë, ajo do të vijë nga brenda, dhe ky është mesazhi për të cilin z. Weddle na paralajmëron: “Amerikën që e kam dashur, që i ka dhënë dritë viteve të mia, a ka mbaruar drita jote tash?” (Situata) .

Ka shumë për t’u thënë për këtë libër.

Janë gati 300 faqe proteste, kritika, zemërimi, zhgënjimi, shprese, madje edhe dashurie. Nëpërmjet këtij libri, ju bëheni pjesë e një tabloje më të madhe, autori ju fton brenda purgatorit të tij, ku mund të hidhni një vështrim në jetën e përditshme të individit në jug të Shteteve të Bashkuara dhe të zbuloni të vërtetën e qytetarit amerikan, e cila në njëfarë mënyre është e ngjashme me atë të qytetarit kosovar: të gjithëve na ka zezuar qeveria dhe “Historia jonë tash/ rishkruhet përditë/ me drejtshkrim të dobët/ dhe gramatikë të keqe.”(Plakja)

Edhe pse ky libër në mënyrë pothuajse kronologjike paraqet ndikimin e zhvillimeve politike në shoqëri, veçanërisht në këto vitet e fundit, kur politika amerikane tronditi botën, përmban edhe një sërë poezish për dashurinë. Disa nga poezitë e tij më të bukura dhe emocionale i kushtohen gruas së tij Jill. Është bukur kur dikush i nënshtrohet dashurisë: “Ti m’je bashkudhëtare/ e ëndrrave të mia/ misteri im më intim.” (Të gjitha rrugët) dhe kur deklaron: “Jam i gatshëm për dhimbjen tënde/ jam i gatshëm/ jam i gatshëm për gjithçka” (RSVP) dhe frika se humbja e dashurisë mund të jetë fatale “Përgatite zemrën tënde për zgavra. /ato vijnë goxha shpejt/ dhe nëse do të të humbas/ një gjë e tillë do të më mbyste .”(Më përkujto si të jem njeri) janë vetëm disa nga poezitë që shpalosin anën intime të autorit të shprehur me një tonalitet skajshmërisht të ndjeshëm. Dhimbja e tij nuk është më vetëm e tij, ajo tashmë është bërë edhe dhimbja jonë dhe edhe pse të gjithë po jetojmë në një kohë “kur engjëjt çmenden nga keqardhja” (Gënjeshtra e madhe) poezitë e Jeff Weddle-it na rikthejnë besimin e humbur te njerëzimi “përpiquni ta bëni botën më të mirë/…kjo është dhurata që ti sjell/ kjo është arsyeja pse je ti këtu (Prandaj).

Para disa vitesh Fadili solli një tjetër autor amerikan në gjuhën shqipe, Dan Fante, me librin e tij “Heshtja e poetit është një akt terrorist”. Jeff Weddle është një tjetër poet amerikan që nuk hesht. Madje ai shkon edhe një hap më tej, atyre që nuk i pëlqejnë të vërtetat e tij, u bërtet: Vritmë nëse ke koqe. /Telegrafi/

 

Exit mobile version