Site icon Telegrafi

Gjithçka çka ndodhi në Kuvendin Zgjedhor për Komitetin e ri Ekzekutiv të FFK-së

Mes tensioneve të shumta në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, është bërë zgjedhja e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv për mandat 4 vjeçar. Por, pa u votuar rendi i ditës në Kuvendin Zgjedhor për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, pati përplasje mes kryetarit Agim Ademi dhe disa prej delegatëve të klubeve të Superligës.

Ademi kërkoi mocion votëbesimi nga delegatët e pranishëm në Kuvend , megjithatë,  ka hasur në kundërshtime të forta nga disa delegatë, përfshirë trajneri i Llapit, Tahir Batatina, dhe kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

“Unë sot para juve kam vendosur që të kërkojë votëbesimin tuaj në mënyrë që të mund ta vazhdojë mandatin tim dhe ta unifikojë me mandatin e Komitetit Ekzekutiv”, tha  Agim Ademi, raporton RTV Dukagjini.

Më i zhurmshmi ishte trajneri i Llapit, Tahir Batatina, që insistonte se në Kuvend nuk janë ftuar për një mocion të tille, por për zgjedhjen e anëtarëve të KE të FFK-së.

“Këtu po shkelet statusi i FFK-së. Këtë po e bënë Kryetari aktual të cilit me 15 janar i ka përfunduar mandati. Në momentin kur është zgjedhur, Kryetari e ka ditur se e ka mandat të vazhduar të Fadill Vokrrit e jo mandat katër vjeçarë”, deklaroi Tahir Batatina, përcjell Telegrafi.

Në mesin e atyre që reaguan ashpër ishte edhe kryetari i Trepçës’89, Abedin Zeka i cili shprehu disa nga pakënaqësitë e tij në drejtim të FFK-së.

“Absolutisht nuk jemi kundër mandatit të Kryetarit aktual. Ne nuk jemi grumbulluar për këtë, por për të shkuar futbolli përpara”, deklaroi Abedin Zeka.

U desh të votohet disa herë, pasi opozita nuk e pranonte rezultatin derisa vendosen të largohen nga kuvendi.

Kurse me 37 vota pro është votuar Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili përbëhet nga Bakir Burri, Agim Dibrani, Predrag Jovic, Xhelal Broja, Mirsad Qollaku, Naser Ajeti, Iljaz Mjaku, Vjollca Krasniqi, Flamur Bunjaku, Ismajl Ajeti dhe Agim Nura.

Pas votimeve pati disa pakënaqësi, por me pas fjalën e mori përfaqësuesi i FIFA, Oliver Jung.

“Po e shohim se kemi demokraci në këtë proces. Kemi shumicën e anëtarëve që votuan për Komitetin Ekzekutiv. Ata që dolën mund të bëjnë pauzë por me rëndësi ne kemi shumicën”, deklaroi Oliver Jung.

“Po e shohim se kemi demokraci në këtë proces. Kemi shumicën e anëtarëve që votuan për komitetin ekzekutiv. Ata që dolën mund të bëjnë pauzë, por me rëndësi ne kemi shumicën”.

Në fund pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj Komitetit Ekzekutiv, Kuvendi Zgjedhor u mbyll me duartrokitje në kujtim të ish-kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrrit./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version