Site icon Telegrafi

Gjira flet për herë të parë pas pesë vitesh tërheqje nga muzika: Paragjykimet më bënë të largohem

Foto: Gjira/Instagram

Reperja e njohur shqiptare, Gjira Kajtazi, ka bërë një dalje të parë televizive pas pesë vitesh mungesë në ekran.

Në një lidhje direkte për emisionin “Ftesë në pesë” të Bieta Sylos, reperja nga Prishtina ka folur për ndjenjën e mëmësisë, të cilën e gëzon tash e një vit.

“Djali im, Maëli ka mbushur një vjet tani më 29 prill. Nuk kam pasur mundësi t’ia bëj një ceremoni të madhe ashtu siç e kisha paramenduar, por jemi munduar të bëjmë më të mirën për t’ia festuar një vjetorin”, ka thënë Gjira.

Reperja ndërkohë tregoi se si në media shpesh është keq interpretuar largimi i saj nga muzika, ku faji herë pas here i është adresuar me pa të drejtë bashkëshortit të saj.

“Arsyeja pse jam shkëputur ka qenë komplet tjetër arsye, sepse nuk e kam partnerin tip xheloz që ma ka ndalu apo diçka, kjo është totalisht diçka shpesh e keqinterpretuar nga mediat dhe më vjen keq që ka dhënë atë përshtypje. Ai madje ka një profesion që unë si femër duhet të jem pak xheloze, pasi është futbollist – por që nuk e kam sepse jemi të dy shumë liberalë”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo është pyetur për arsyen e stagnimit prej kaq vitesh në muzikë, gjë për të cilën ajo thotë se as vet nuk e ka një përgjigje të saktë.

“Është një dilemë që e kam edhe unë si artiste, është diçka që edhe vet nuk mund të japë përgjigje. Janë disa arsye të ndryshme një muhabet shumë i thellë, të gjithë njerëzit mendojnë që fama i pëlqen dikujt, paraja pastaj të qenit në qendër të vëmendjes, por ka edhe tipa që nuk iu pëlqejnë shumë këto”, tha rep-artistja tani me vendbanim në Gjermani.

Ajo gjithashtu tha edhe se njëra ndër arsyet e tërheqjes ishin gjykimet e tepërta në atë kohë për faktin se ajo u inkuadrua në muzikën hip-hop.

“Unë i kam pasur 22 vjet kur jom shfaq në skenë dhe në atë kohë ka qenë shumë e vështirë sepse femrat me një gjuhë të drejtpërdrejt kanë qenë më të paragjykuara. Tani ka ndryshuar koha, njerëzit janë shumë më të hapur për zhanre të ndryshme”, ka thënë Gjira. /Telegrafi/

Exit mobile version