Kryetari i Komunës së Gjakovës, njëherësh nënkryetar i AAK-së, Ardian Gjini, është shprehur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe veprimet e tij “do të na dërgojë në humnerë të gjithëve”.
Gjini ka thënë se nuk mund ta pranojnë draft-statutin e Asociacionit, sepse janë në opozitë.
“Arsyeja pse ne po provojmë që t’ia bëjmë pak më të lehtë, të kryejmë diçka që nuk kemi çare pa e kryer si vend. Nuk është për oportunizëm politik, është për me i ndihmu vendit për të dalë prej disa kurtheve që është”, ka thënë Gjini.
Gjini ka thënë se disa pika të draft-statutit të Asociacionit janë të vështira dhe se kanë qenë më herët se kryeministri Kurti në këtë pozitë.
“E ai duke i gënjyer njerëzit që e ka gjoksin më të madh se të gjithëve, që ka me i dhanë shpulla krejt botës, na ka sjellur në një pozitë që do të na dërgojë në humnerë të gjithëve”, ka thënë ai, në “Debat Plus“ të RTV Dukagjini.
Gjini është shprehur se nuk kanë pasur nevojë politike për t’i ndihmuar kryeministrit, por Kosovës.
Ai e ka kritikuar qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Gjini tha se asnjëherë s’ka ndodhur që ShBA-ja ta gënjejë Kosovën, derisa shtoi se pothuajse të gjitha njohjet janë sjellë vetë ShBA-ja.
“Ende nuk na ka gënjy Amerika. S’na kanë gënjye kurrë. S’na ka dalë asgjë ndryshe se çfarë na është thënë. Normal që nuk mundet me thënë Amerika, që nëse e bën këtë hyn në NATO. Nuk është korrekte, sepse NATO merr vendim. Kjo është arsyeja pse askush nga amerikanët nuk thonë ne të fusim në NATO. Amerika e ka zërin kryesor, por secili vend ka të drejt të vetos… Krejt çka kemi marrë njohje ose 90% ka qenë punë e amerikanëve, britanikëve, gjermanëve, e francezëve. Ata kanë punu për ne. Edhe tash punojnë për ne ”, tha ai.
Sipas tij, Qeveria nuk duhet të tregohet kaq mosbesuese ndaj vendit i cili e ka bombarduar Serbinë dhe ka kontribuar për shtetndërtimin e Kosovës.
“Fakti që shfaqim shumë mosbesim, diçka që na ka ndodhë që 25 vjet, është pakës fyes. Nuk guxojmë të jemi kaq mosbesues ndaj një vendi që i ka çue aeroplanët dhe e ka bombardu Serbinë për ne. Na ka sjellë krejt njohjet dhe pavarësinë”, tha ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të sotëm me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se me të kanë biseduar për disa çështje me rëndësi.
Kurti ka bërë të ditur se emisarit amerikan ia ka theksuar nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Ndërsa, Escobar, pas takimit me Kurtin ka deklaruar se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur për çështjen e dinarit serb.
Escobar ka theksuar se kryeministri Kurti i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit.
Kujtojmë që 19 mars të këtij viti, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq pritet të takohen në Bruksel.
Një takim për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve e ka paralajmëruar edhe Escobar.
“Duhet të pranoj se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash. E, këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë. Është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë. Shpresoj që qeveria është pajtuar të jetë fleksibile në këto diskutime në dialog të martën. Në ndërkohë e kam përgëzuar kryeministrin për vendimin që ka marrë për Deçanin. Ishte vendim i vështirë, por i duhur”, ka thënë Escobar. /Dukagjini/