Telegrafi

Gjimshiti: Donim fitoren, luajtëm më mirë se Juventusi

Atalanta ka marrë një pikë të vlefshme nga udhëtimi në Torino përballë Juventusit 1-1.

Skuadra nga Bergamo kësisoj ndodhet në pozitën e tretë me 66 pikë, sa ka edhe Interi në të katërtën.

Njëri nga futbollistët më të mirë në ndeshje ndaj Juventusit, padyshim që ishte mbrojtësi shqiptar Berat Gjimshiti.

26-vjeçari ka deklaruar pas ndeshjes se synonin fitoren ndaj Juventusit pasi kanë bërë lojë më të mirë.

“Shpresonin në një fitore, kemi bërë shumë mirë në pjesën e parë. Ata kishin një rast me Ronaldon në fillim dhe ne kishim raste të ndryshme për gol, por në përgjithësi ishim më të mirë”, tha Gjimshiti.

Berat Djimsiti. (Photo by Francesco Pecoraro/Getty Images)

“Nuk ishim shumë mirë në pjesën e dytë, pasi e ulëm ritmin. Ne nuk mendohemi dhe sot treguam që donim të fitonim. Tashmë kemi një ndeshje me Sasuolon, e cila do të jetë e vështirë dhe këtë gjë e pamë në ndeshjen e tyre ndaj Romës”, u shpreh mbrojtësi i Atalantes.

Bergamaskët janë duke kërkuar të futën në grupet e Ligës së Kampionëve dhe për ta arritur këtë gjë i duhet vetëm fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Sassuolos. /Telegrafi/