Gjilani ka përforcuar radhët e veta për dy ndeshjet e fundit kampionale dhe të barazhit të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra e Gjilanit ditën e sotme ka përfunduar përgatitjet për duelin e nesërm që kuqebardhët e zhvillojnë si vendas kundër Lirisë.
“Skifterat” kanë njoftuar përmes llogarisë zyrtare të klubit në Facebook se do të kenë ndihmën e dy lojtarëve të huaj.
“Për kuq e bardhët në ndeshjen kundër Lirisë do të kthehen edhe dyshja nga Bregu i Fildishtë, bëhet fjalë për Keita Aziz dhe Keita Razak të cilët janë rikthyer me skuadrën dhe kanë vijuar me përgatitje gjatë javës”, shkruan në njoftimin e klubit.
Kujtojmë se ndeshja mes Gjilanit dhe Lirisë zhvillohet ditën e nesërme me fillim nga ora 16:00, në stadiumin “Agim Ramadani-Katana”, në Gjilan dhe gjykohet nga Gramos Shala me ndihmësit Visar Kelmendi dhe Arton Latifi.
Ndryshe, gjilanasit renditen në pozitën e dhjetë të renditjes tabelore me 35 pikë, katër më pak se vendi që nuk luan në barazh. /Telegrafi/