Telegrafi

Gjilani udhëton jashtë vendit për përgatitje, Mezani publikon listën e 23 futbollistëve

Gjilani është njëra nga skuadrat më të përforcuar këtë edicion në elitën e futbollit kosovar.

Bardhekuqt shpëtuan nga rënia vetëm përmes barazhit, ndërsa synojnë tani të luftojnë për kreun e tabelës.

Gjilani është përforcuar me emra të njohur, kryesisht nga kampionati shqiptar dhe ai maqedonas.

Gjilani të dielën (7 Korrik) pritet të marrë rrugë drejt Mavrovës, me ç’rast pritet të qëndrojnë një javë të plotë.

Në listën e futbollistëve që do të udhëtojnë në shtatë ditëshin e parë të përgatitjeve janë futur të gjithë lojtarët, përpos dy futbollistëve nga Bregu i Fildishtë, Keita Aziz dhe Keita Razak të cilët nuk kanë arritur dhe mesfushorit Qëndrim Ismajli, i cili pritet të huazohet gjatë kësaj jave në ndonjë klub tjetër për të fituar eksperiencën e duhur.

Trajneri i këtij ekipi Gentjan Mezani ka paraparë që ti zhvillojë dy faza përgatitore jashtë vendit, teksa fillimisht e ka nisur me Mavrovën. Ende nuk është përcaktuar destinacioni i dytë, por në plan janë edhe Sllovenia dhe Turqia.

Deri në mbylljen e fazës përgatitore synohet që në ekip të afrohen edhe disa futbollistë të rinj, të cilët priten të përforcojnë organikën.

Tri repartet, ai i mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit do të fitojnë futbollistë të rinj, të cilët do të vijnë si përforcime të mëdha për Gjilanin e ri që synon Evropën në edicionin e ri. /Telegrafi/