Gjilani ka fituar në udhëtim te Vushtrria me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.
Skuadra e Gentjan Mezanit ka vazhduar serinë e fitoreve në kampionatin e Kosovës dhe me triumfin e fundit në Vushtrri ka rikthyer vendin e parë në tabele.
Pjesa e parë e ndeshjes foli e gjitha në të mirë të gjilanasve, të cilët përveç rasteve të shumta, arritën të shënojnë edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 19-të dhe ishte Razak Keita, i cili shënoi me kokë për 0-1, ndërsa Armend Halili (44′) ka shënuar për 0-2 tre minuta pas inkuadrimit në lojë.
Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e barabartë, por u përshkua edhe me tensione dhe ndërprerje të ndeshjes për disa minuta.
Në minutën e 58-të, Vushtrria gjeti golin me anë të Jasmin Raboshtës, por ky gol u anulua nga anësori për pozitë jashtë loje.
Ky gol i anuluar bërë që tifozët vendas të fillojnë të gjuajnë gjësende në fushë duke e qëlluar gjyqtarin e katërt Burim Jahmurataj dhe me këtë rast është ndërprerë ndeshjes.
Pas rreth pesë apo gjashtë minutave, intervenon policia e Kosovës, teksa fillon ta zbrazë pjesën qendrore të stadiumit në “Ferki Aliu” dhe ndeshja rifilloi.
Deri në fund të ndeshjes, pati edhe disa gjysmë-raste, ku Gjilani gjeti golin me anë të Gerhard Prognit (78′) për 3-0, ndërsa Bashkim Shala në minutën e 11-të shtesë vulosi rezultatin përfundimtar 3-1.
Pas kësaj fitore, Gjilani rimerr pozitën e parë me 30 pikë, po aq sa ka Ballkani i dyti, ndërsa Vushtrria renditet e 11-ta me nëntë pikë.
Në ndeshjen e radhës, “Skifterat” e presin në shtëpi Drenicën, ndërsa “Forca” e pret Ferizajn. /Telegrafi/