Gjilani ka arritur të shënoj fitore në derbin e javës përballë Llapit me rezultat të pastër 2-0.
Skuadra e Arbnor Morinës në këtë takim erdhi pas humbjes 2-1 te Feronikeli dhe kërkonte këndelljen pikërisht ndaj liderit Llapi që kishte fituar 4-1 ndaj Vllaznisë.
E qysh në minutën 17-të, vendasit arritën golin e epërsisë për 1-0.
Ishte Betim Haxhimusa që asistoi në mënyrë përfekte tek Gzim Rusi që shënoi lehtësisht për 1-0.
Llapi tentoi nëpërmjet Gentrit Begollit dhe Ilir Blakçorrit por portieri vendas ishte në vend.
Në pjesën e parë duhet veçuar edhe goditja e Haxhimusës nga afërsia por që u ndal nga Beqiri.
Ndërkohë në minutën e fundit Mentor Zhdrella goditi shtyllën nga gjuajtja e lirë.
Llapi në pjesën e dytë kërkonte me ngulm golin e barazimit dhe pati disa raste të mira.
Edon Zeqiri fillimisht goditi nga 20 metra, por shtylla shpëtoi edhe kësaj radhe Gjilanin.
Ndërkohë edhe sulmuesi i ri Maksuti pati rast të mirë por topin nga vija fatale e largoi Armend Thaqi.
Në minutën e 80-të, vendasit arritën ta gjenin edhe njëherë golin.
Ishte përsëri Gzim Rusi që shënoi por kësaj radhe u shërbye mirë nga Armend Thaqi.
Pas kësaj fitore Gjilani ngritët në pozitën e tretë në tabelë me 23 pikë të tubuara, tri më pak se Llapi në vendin e parë.
Në ndeshjen e radhës bardh e kuqtë luajnë në udhëtim te Vëllaznimi, derisa Llapi pret Feronikelin. /Telegrafi/