Gjilani ka marrë fitore të mundimshme 1-0 përballë Vllaznisë së Pozhoranit.
Gjilani në këtë takim vinte pas humbjes nga Drenica në kampionat dhe eliminimit në Kupë nga Vushtrria.
Bardh e kuqtë kanë probleme me tifozët e tyre Skifterat të cilët po kërkojnë shkarkimit e Arbnor Morinës.
Ndërkohë Vllaznia vinte e motivuar në Gjilan pas fitores minimale 1-0 ndaj Besës dhe kishte shtuar gjasat për mbijetës.
Mysafirët rrezikuan të parët me anë të Bergin Maliqit i cili nga gjuajtja e lirë qëlloi shtyllën në minutën e 13’.
Rast të mirë për Vllazninë pati edhe Miftari por që gjuajtja e tij shkoi afër shtyllës.
Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Me të filluar pjesa e dytë Gjilani mori lojën nën kontroll dhe sulmonte vazhdimisht.
Dy raste të mira shënimi i kishte sulmuesi afrikan Mbella por pa arritur të gjejë golin.
E goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e ’78, ku Gjilanin e kaloi në epërsi Armend Thaqi.
Kësisoj Gjilani pas fitores së arritur ngjitët në pozitën e katërt në tabelë me 35 pikë të tubuara.
Ndërkohë Vllaznia mbetet e fundit me vetëm 12 pikë pas 22 ndeshjeve. /Telegrafi/