Gjilani është rikthyer te fitorja pas derbit të humbur javën e kaluar ndaj Dritës.
Kuqebardhët para tifozëve të vet kanë mposhtur ekipin kryeqytetas Flamurtarin me rezultat 2-0.
Tomislav Busic rrezikoi i pari për vendasit, ndërsa Shend Kelmendi humbi një rast të mirë për mysafirët.
Goli i parë erdhi në minutën e 39-të kur realizoi Sebino Plaku pas gabimit të portierit mysafir Selimaj për 1-0.
Me epërsinë minimale të gjilanasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Gjilani vazhdoi sulmet në drejtim të portës së mysafirëve, teksa në minutën e 70-të shënuan edhe golin e dytë.
Kësaj radhe ishte sulmuesi kroat Tomislav Busic që realizoi me kokë.
Deri në fund të ndeshjes dy skuadrat patën disa gjysmë raste, por që rezultati mbeti i pandryshuar ai i minutës së 70-të.
Fitorja Gjilanin e mban në pozitën e katërt me 35 pikë, pesë më pak se lideri Ballkani.
Ndërkohë Flamurtari zë pozitën e nëntë në tabelë me 22 pikë të tubuara. /Telegrafi/