Gjilani e ka fituar ndeshjen e javës së tetë të Superligës së Kosovës ndaj Flamurtarit me rezultat minimal 1-0.
Skuadra e trajnerit Arbnor Morina ka vazhduar me serinë pozitive dhe pa humbje edhe ndaj Flamurtarit të Prishtinës, duke e mposhtur me një gol në pjesën e dytë.
Gjilanasit e dominuan pjesën e parë, duke rrezikuar disa herë me anë të Betim Haxhimusës (10’, 27’), por në dy rastet u ndal nga portieri i mysafirëve.
Skifterët provuan edhe në minutën e 33-të me anë të Dior Zabërgjës dhe Fisnik Papuqit (45’), por nuk ishin të saktë dhe shifrat mbetet të pandryshuara.
Në pjesën e dytë, Gjilani vazhdoi trysninë ndaj prishtinasve dhe gjeten edhe golin e epërsisë, i cili doli të jetë edhe i fitores, kur në minutën e 65-të Haxhimusa realizoi për 1-0 pas harkimit të Armend Thaqit.
Deri në fund pati edhe disa raste tjera për gol, por ndeshja përfundoi me fitoren e Gjilanit, të cilët fituan me rezultat 1-0 dhe tani gjenden në pozitën e dytë ne tabelë me 14 pikë, ndërsa Flamurtari në vendin e 11-të me vetëm pesë pikë.
Në gjiron e ardhshme, Gjilani udhëton te Liria, ndërsa Flamurtari e pret në shtëpi Feronikelin. /Telegrafi/