Telegrafi

Gjilani nënshtron KEK-un në ndeshjen e Kupës së Kosovës, Sokoli e nis me goleadë

(Foto: Facebook/SC Gjilani)

Gjilani ka realizuar fitore bindëse prej 5-0 përballë KEK-ut në kuadër të 1/16 së finales në Kupën e Kosovës në futboll, për të vazhduar në raundin tjetër.

Zhvillohej minuta e 33-të kur Darko Nikac realizoi për vendasit duke e zhbllokuar rezultatin e ndeshjes.

Nuk zgjati shumë dhe epërsia u dyfishua me golin e Muhamed Useinit, të shënuar në minutën e 39-të dhe me avantazh të dyfishtë, skuadrat shkuan në pushim.

Gjilani arriti të realizonte edhe në gjysmën e dytë, ndërsa golashënues ishte sërish Nikac, me golin e dytë personal në këtë takim.

Një tjetër gol për gjilanasit në këtë takim e shënoi Fiton Hajdari, derisa në listën e golashënusve u regjistrua edhe Tomislav Busic.

Theksojmë se kjo ishte ndeshja e parë e Bylbyl Sokolit si trajner i Gjilanit dhe e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. /Telegrafi/