Telegrafi

Gjilani kthehet te fitorja, Hajdari shënon het-trik ndaj Ferizajt

Gjilani është rikthyer te fitorja pas humbjes nga Trepça ’89 javën e kaluar.

Skuadra bardhekuqe ka triumfuar me rezultat bindës 4-0 ndaj Ferizajt në ‘Riza Lushta’ të Mitrovicës, pasi ishin të dënuar të luanin jashtë shtëpisë së tyre.

Gjilani e nisi mirë ndeshjen dhe në minutën e 26-të, Fiton Hajdari kaloi skuadrën e tij në epërsi.

Vetëm tre minuta më vonë Hajdari shënoi një tjetër gol pasi u asistua mirë nga Jackson Ferreira.

Në minutën e 32-të, sulmuesi kroat Tomislav Busic realizoi për 3-0.

E me epërsinë e trefishtë të vendasve përfunduan 45 minutat e para të ndeshjes.

Pjesa e dytë ishte më e qetë me vendasit që kontrollonin lojën.

Por në minutën e 87-të të ndeshjes, Gjilani fitoi një penallti.

E përgjegjësinë për ta ekzekutuar e mori Fiton Hajdari i cili ishte i saktë duke kompletuar het-trikun e tij.

Kësisoj Gjilani pas kësaj fitore rikthehet në pozitën e dytë në tabelë me 27 pikë, dy më pak se lideri Ballkani.

Në anën tjetër Ferizaj mbetet në vendin e parafundit në renditje me vetëm nëntë pikë.

Ndeshjen e ardhshme Gjilani do ta luaj në udhëtim te Vushtrria, ndërsa Ferizaj është nikoqir i Flamurtarit. /Telegrafi/