Telegrafi

Gjilani i kthehet normalitetit: Shlyhen borxhet ndaj lojtarëve, të mërkurën fillon faza përgatitore

Pas disa muajsh probleme, Gjilani duket se po kthehet në rrugën e duhur, pasi tashmë janë shlyer borxhet që ishin prej muajsh ndaj lojtarëve, ndërsa faza përgatitore për stinorin pranveror do të fillojë nesër (e mërkurë).

Gjilani e kishte nisur me pretendime të mëdha këtë sezon në Superligën e Kosovës, duke bërë edhe afrime në afatin kalimtar veror.

Pasi e nisën shumë mirë, duke marr katër fitore dhe dy barazime në gjashtë xhirot e para, ku ishin edhe lider, kryetari i klubit Florim Zuka, lajmëroi dorëheqjen e tij nga Gjilani.

Që atëherë klubi ishte në mes të problemeve financiare, ku pastaj u bën muaj që lojtarët nuk merrnin pagat e tyre, ndërsa më vonë filluan të mungonin edhe rezultatet.

Por duket se te Gjilani është kthyer sërish normaliteti, pasi sot (e martë), janë shlyer të gjitha borxhet ndaj lojtarëve aktual.

Drejtues të Gjilanit kanë thënë për Telegrafin se gjithçka është kthyer në rrugën e duhur dhe se përgatitjet fillojnë nesër me trajnerin Zekirija Ramadanin.

Borxhet në paga janë shlyer, ndërsa deri më tani janë larguar vetëm Agustin Torrasa dhe Fabjan Beqja.

Gjilani aktualisht është në pozitën e katërt me 27 pikë, aq sa ka edhe Prishtina në vendin e tretë.

Më skuadrën aktuale, Gjilanin shihet si kandidat serioz për një vend në garat evropiane. /Telegrafi/