Telegrafi

Gjilani furnizohet me vaksina kundër gripit sezonal

Foto: Ilustrim

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan është furnizuar të hënën nga Ministria e Shëndetësisë me kontingjentin e parë të vaksinave kundër gripit sezonal në sasi prej 2 mijë dozave.

Drejtori i QKMF-së në Gjilan, Fejzulla Berisha, ka konfirmuar se këto vaksina janë pa pagesë dhe do të vaksinohen të gjithë personat e moshuar dhe ata me probleme shëndetësore.

“Aplikimin e tyre jemi duke e bërë në dy qendra, QKMF dhe QMF-Dardania në shërbimin e vaksinimit. Do të vaksinohen të gjithë personat e moshuar, ata me sëmundje kronike dhe qytetarët që kanë probleme të caktuara shëndetësore”, ka thënë drejtori i QKMF-së, Fejzulla Berisha.

Ai ka informuar se janë të përgatitur që t’u dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve në çdo kohë dhe se do të vazhdojnë të furnizohen edhe me kontingjentin tjetër të vaksinave, në momentin që shpenzohet sasia e tanishme. /Telegrafi/