Gjilani dhe Llapi kanë luajtur baras 1-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në BKT Superligën e Kosovës.
Llapi ishte afër të merrte një fitore të madhe në udhëtim, por Gjilani barazoi në fund dhe vazhdoi serinë prej 20 ndeshjeve radhazi pa humbje.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të fortë dhe me raste nga të dyja skuadrat, por golin e gjeten vetëm mysafirët.
Në fakt, vendasit shënuan të parët me anë të Albert Dabiqaj (26’), por ky gol u anulua për pozitë jashtë loje pas rishikimit të VAR-it.
Goli i vetëm i rregullt erdhi në minutën e 35-të me anë të Francisco Rivera, i cili shënoi me kokë për epërsinë 0-1 pas asistimit të Valmir Veliut.
Në pjesën e dytë, Gjilani u hodh i gjithi në sulm, duke krijuar më shumë në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Llapi provonte me kundërsulme.
Në minutën e 79-të, shënuesi i vetëm, Rivera u ndëshkua me kartonë të kuq dhe Gjilanit iu lehtësua puna drejt barazimit.
Armend Halili (86’) ishte afër të barazonte, goditja e të cilit me kokë u ndal nga traversa, por Shend Kelmendi (90+) u gjend mirë në zonë dhe nuk humbi mundësinë për të barazuar 1-1 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.
Pas këtij barazimi, Gjilani e sheh veten në pozitën e dytë me 48 pikë apo tri më pak se Ballkani i pari, ndërsa Llapi rendite në pozitën e katërt me 41 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Gjilani luan në udhëtim te Malisheva, ndërsa Llapi pret Dukagjinin. /Telegrafi/