Site icon Telegrafi

Gjilan, policia kontrollon shtëpinë e të dyshuarit për pastrim të parave, i sekuestron kontrata noteriale

Foto: Ilustrim

Prezantoi në “TikTok” para që dyshohet se i ka fituar përmes veprave penale – policia nuk e gjen të dyshuarin në shtëpinë e tij në Gjilan

Policia e Kosovës njoftoi se këtë të enjte ka realizuar një operacion në Gjilan, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘pastrim i parave’.

Sipas njoftimit, hetuesit policorë kanë kontrolluar shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të të dyshuarit me qëllim të sigurimit të dëshmive materiale në lidhje me veprën penale të lartcekur, të cilën dyshohet ta ketë konsumuar gjatë periudhës kohore tetor 2022.

“Kontrolli është realizuar duke u  bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, policia bëri të ditur se i dyshuari përmes rrjetit social ‘TikTok’ ka prezantuar për publikun para  me ngjyrë, të cilat dyshohet të jenë përfituar nga kryerja e veprave penale të ndryshme.

“Gjatë kontrollit është arritur të sekuestrohen disa kontrata noteriale në lidhje me shitblerjen e disa lokaleve dhe pronave  si dhe një telefon celular. I dyshuari nuk është hasur në shtëpi, dyshohet të jetë në Republikën e Maqedonisë Veriore”, thuhet tutje.

Të gjitha veprimet hetimore dhe operative janë zhvilluar me autorizimin e Prokurorisë Speciale te Republikës se Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version