Telegrafi

Gjiko prek “Yjet Nalt” me projektin e ri (Foto)

Reperi i njohur Gjiko shumë shpejt do të publikojë projektin e tij më të ri muzikor, këngën dhe klipin “Yjet Nalt”.

Një këngë mjaft e veçantë, dhe me një tekst dashurie ka bërë që reperi të ndjehet sikur gjendet pranë yjeve në qiell, njashtu siç thotë dhe titulli i këngës “Yjet Nalt”.

Në një prononcim ekskluziv për Telegrafin, reperi ka rrëfyer për tematikën e këngës, dhe atë se çfarë dëshiron të shpreh me këngën e re.

“Në këtë këngë jam munduar ta shprehë me fjalë se sa ka rëndësi personi i zemrës tek unë. Ku mund të gjesh krahasim më të madh se yjet në qiell kur bie fjala për dashurinë kur të gjithë e dimë se yjet janë pa limit”, tha ai për Telegrafin.

Tash e një kohë Gjiko ia beson prodhimet e tij muzikore vëllait, producentit të njohur Big Bang, gjersa vargjet e teksteve vazhdon t’i shkruajë vet.

“Tekstet gjithmonë i shkruaj vet, aty jeton krijimtaria ime, për muzikën dhe orkestrimin është përkujdesur vëllai im i madh Big Bang Beats, ndërsa videoklipin janë duke e realizuar Valon Aziri me ekipin e tij”.

I pyetur nëse “Yjet Nalt” është dedikim për ndonjë person në veçanti, reperi u shpreh: “Çdo këngë e imja është dedikim i një emocioni ndaj meje, është ndjenjë brenda meje që e konvertoj në fjalë me melodi, për veçantinë e klipit, ndërsa për klipin do pres ta shihni”

Kënga pritet të publikohet javën tjetër, ndërsa para publikimit reperi rrëfen për pritshmëritë që ka në lidhje me “Yjet Nalt”.

“Gjiko si artist mundohet vetëm të bëjë art, nëse dikush e gjen vetën brenda muzikës time atëherë qenkam njeriu më fatlum në botë, dhe do vazhdoj të jem zëri i brendshëm i fansave të mi”, përfundoi ai për Telegrafin.

Mbetet të shihet se sa i veçantë do të jetë projekti i ri i artistit i mbushur me yje, deri atëherë…le të vrojtojmë vetëm yjet që ndodhen në qiell. /Telegrafi/